Në Tiranë u zhvillua tryeza e rrumbullakët me temë “Konvergjenca e Shqipërisë me BE-në: Kohezion dhe Konkurrueshmëri,” ku u mblodhën aktorët kryesorë shqiptarë dhe përfaqësues nga institucionet europiane për të diskutuar integrimin e përshpejtuar të vendeve të Evropës Juglindore 6 (EJL6) dhe ndërveprimin e tyre me politikat e kohezionit dhe konkurrueshmërisë së BE-së.

Takimi u organizua nga CDI në bashkëpunim me Presidencën Hungareze të Këshillit të BE-së, në prag të takimit joformal të krerëve të shteteve të BE-së të 8 nëntorit në Budapest.

Një nga konkluzionet kryesore të tryezës ishte ndryshimi i perspektivës mbi Shqipërinë dhe rajonin, jo vetëm si përfitues të fondeve të BE-së, por si kontribuues në forcimin e konkurrueshmërisë dhe qëndrueshmërisë së BE, veçanërisht gjatë kësaj periudhe me ndryshime të rëndësishme gjeopolitike.

Ardian Hackaj, drejtor i Kërkimit në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim, paraqiti argumentet kryesore pas konceptit “Aderim para Anëtarësimit,” duke sugjeruar që Shqipëria dhe vendet e tjera të EJL6 duhet të kenë mundësinë të marrin pjesë në procesin e hartimit të politikave të BE-së para se të bëhen anëtare me të drejta të plota. Kjo do të lehtësonte një proces zgjerimi më të qetë dhe efektiv, do të rrisë kohezionin, mbështetë konkurrueshmërinë e BE-së dhe forcon rezistencën europiane.

Një objektiv kyç i Presidencës Hungareze të Këshillit të BE-së është miratimi i Nismës së Re për Konkurrueshmërinë Europiane, që synon të rivendosë zhvillimin ekonomik, të promovojë rritjen e qëndrueshme, të thellojë tregun e brendshëm, të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, dhe të avancojë kalimet drejt gjelbërimit dhe dixhitalizimit. Përfshirja e rajonit EJL6 në strategjinë e konkurrueshmërisë së BE-së do të sjellë përfitime për shumë sektorë dhe aktorë ekonomikë të BE-së, si dhe për vetë rajonin.

Si përfaqësues i Presidencës Hungareze të Këshillit të BE-së, Zsolt Bunford, i Dërguari i Posaçëm i Hungarisë për Ballkanin Perëndimor, nënvizoi – ndër të tjera – afatin e vitit 2027 për negociatat e Shqipërisë me BE-në, rolin historik të EJL6 në lidhjen pan-europiane, mjedisin në ndryshim për shkak të gjeopolitikës dhe nevojën për të ngushtuar hendekun e financimit BE-EJL6.

Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Endrit Yzeiraj, renditi tre parakushte kryesore për vendet e EJL6 për të arritur konvergjencën me BE-në: zbatimin e reformave institucionale, përmirësimin e lidhjeve tregtare dhe përfshirjen e EJL6 në politikat industriale të BE-së.

Zëvendëssekretari i Shtetit për Çështjet me BE-në dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Ministrinë e Energjisë së Hungarisë, Péter Holicza, vuri theksin te rëndësia e energjisë së lirë dhe të gjelbër për konkurrueshmërinë e BE-së, nevojën për zhvillimin e rrjetit energjetik në EJL6, për lidhjen e tregjeve, mobilizimin e investimeve private, dhe bazimin e diskutimeve mbi energjinë në standardet teknike dhe industriale, si dhe rolin që V4+ mund të ketë në rajon.

Elira Kokona, Drejtore Ekzekutive e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), vuri në dukje përpjekjet për të rritur konkurrueshmërinë e Shqipërisë, duke e pozicionuar vendin si një qendër për panaire ndërkombëtare në rajon. Ajo theksoi gjithashtu përparimin në zhvillimin e një kornize rregullatore të konkurrencës, bazuar në praktikat më të mira nga Bashkimi Evropian.

Duke folur për konkurrueshmërinë e bizneseve shqiptare, Laura Saro, drejtore Ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), përshkroi punën që po bëhet për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare në strategjitë e tyre të eksportit duke rritur kapacitetet dhe mundësitë e tyre, si dhe për të pasur qasje në platforma të ndryshme eksporti dhe tërheqjen e Investimeve të Huaja Direkte.

Francesca Porcelli, Koordinatore e Planit të Rritjes në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, e përshkroi Planin e Rritjes si një instrument kyç për konvergjencë dhe konkurrueshmëri. Ajo nënvizoi nevojën që ky plan të zbatohet në mënyrë të zgjuar dhe strategjike, paralelisht me zbatimin e suksesshëm të reformave në vendet e EJL6, për ta bërë rajonin më tërheqës për investitorët e huaj.

Arben Shkodra përmendi punën e Këshillit Ekonomik Kombëtar Shqiptar në zhvillimin e një strategjie të përqendruar në ekonominë e ushqimit, turizmit, energjinë e gjelbër, segmente të caktuara të prodhimit, logjistikën dhe infrastrukturën rreth qendrave të zhvillimit.

Në përmbyllje të diskutimit, Holicza premtoi mbështetje të mëtejshme nga Hungaria për përpjekjet e Shqipërisë dhe rajonit për t’u bashkuar me BE-në dhe për ta mbajtur zgjerimin si një çështje qendrore në agjendën e BE-së./ata