Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ndaj ndotjes që po shkaktohet nga djegia e mbetjeve në Elbasan, pas zjarrit që ra të shtunën, duke e cilësuar si një dëshmi tjetër të skandalit të inceneratorëve që vazhdon të dëmtojë qytetarët shqiptarë.
“Mega-afera e inceneratorëve është një nga skandalet korruptive më të mëdha të shtetit shqiptar prej themelimit të tij.”, tha Basha.
Ai theksoi se tymi dhe flakët toksike që mbulojnë qytetin janë rezultat i një projekti korruptiv, që ka shkaktuar vetëm dëme për shëndetin e qytetarëve dhe për ekonominë e vendit.
Basha u shpreh se, kjo situatë është pasojë e aferës së inceneratorëve, ku “janë shpenzuar miliarda lekë pa asnjë rezultat të prekshëm”, siç tha ai, “duke dëmtuar “si shëndetin e qytetarëve, ashtu edhe xhepat e taksapaguesve”.
Në fund, ai bën apel për një hetim të thelluar për të nxjerrë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për këtë dëm të madh ndaj qytetarëve dhe mjedisit./ata