Sopranoja e njohur Inva Mula iu bashkua nismës “Dhuro zërin”, për pasurimin e bibliotekës audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se Mula i jep zë librit të autorit Amos Oz, “Rrëfim për dashurinë dhe errësirën,” në mbështetje të nismës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Nxënësit që Nuk Shikojnë.
“Kjo nismë është mbështetur gjatë këtij viti nga qindra lexues, profesionistë të fushës së artit, kulturës e gazetarisë, të cilët dhuruan zërin e tyre për të krijuar dhe pasuruar të parën bibliotekë audiodigjitale që përmbush nevojat për më shumë dije për nxënësit me vështirësi të shikimit”, theksoi Rama.
Sporanoja Mula u shpreh se “kjo nismë që është kaq e bukur më preku. Jam e gatshme të vij sërish që t’i bashkoj zërin tim, që e kam shumë të shtrenjtë, që më ka çuar kudo në botë dhe këtë radhë do të vijë tek ju, sepse ju më anë të zërit keni gjithçka edhe aty ku shikimi nuk shkon zëri hyn në brendësi të zemrës”.
Nismës “Dhuro zërin” i janë bashkuar emra të njohur të artit dhe kulturës, që me zërin e tyre kanë pasuruar bibliotekën audiodigjitale për fëmijët që nuk shikojnë./ata