Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura solli pamje nga Lugina e Tropojës, pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” duke ftuar drejt një destinacioni tashmë mjaft të kërkuar sidomos nga turistët e huaj, pasi përbën një oaz të shumë mrekullive natyrore.

 

Lugina e Tropojës është pjesë edhe e shtegut turistik “Tropojë e vjetër-Myhejan-Sulbicë”, ndër më të kërkuarat nga turistët.

Rrugëtimi në këtë shteg përbën një eksperiencë të rrallë me florën e pasur, e cila nis nga pyjet e vjetër të Ahut deri në kullotat alpine, ku ndodhen edhe monumentet e natyrës, Liqeni i Sulbicës dhe Liqeni i Dashit.

Pak të njohur deri tani, këto destinacione janë për mos t’u humbur për të gjithë dashamirët e natyrës dhe trashëgimisë.

Liqeni i Dashit ka nisur të frekuentohet më shpesh nga turistët, sidomos në ditët e nxehta të verës. Ky liqen ndodhet në 2180 metra lartësi brenda Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”.

Ky liqen është një nga liqenet më të mëdhenj akullnajorë që ruan në të katër stinët e vitit të njëjtin nivel ujor, i ndodhur mes kullotave alpine të Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë.