Projektbuxheti i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme për vitin 2025 arrin në shifrat e 3.8 miliardë lekëve dhe konsiderohet më i madhi në historinë e kësaj ministrie, ndërsa mbështet shërbimin e jashtëm dhe angazhimin në nismat rajonale dhe programet e Bashkimit Europian.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani raportoi sot në komisionin për Çështjet Europiane, mbi objektivat kryesore të projektbuxhetit 2025 për këtë ministri, ndërsa u shpreh se ai mbështet politikat dhe strategjitë kyçe të diplomacisë shqiptare.

Sipas tij, buxheti 2025 është rritur me 635 milionë lekë, ose 20 për qind më shumë krahasuar me buxhetin aktual.

“Kjo tregon angazhimin e palëkundur për forcimin e diplomacisë. Në këtë buxhet përfshihet mbështetja për përfaqësitë e reja diplomatike e konsullore, forcimi i marrëveshjeve për asociim-stabilizim me BE-në dhe vendet e rajonit, forcimi lidhjeve me BE-në dhe organizmat ndërkombëtare, si dhe mbështetje për diasporën”, tha Hasani.

Kryediplomati shqiptar theksoi se ky buxhet mbështet po ashtu përpjekjet për të forcuar diplomacinë ekonomike.

Duke u ndalur te investimet, Hasani theksoi se ato përfshijnë projekte inovative si modernizimin e shërbimit konsullor online dhe sistemin e-Viza, që do të përmirësojnë shërbimet për qytetarët shqiptarë jashtë vendit.

Hasani theksoi po ashtu buxheti mbështet diasporën për të forcuar lidhjet kulturore dhe ekonomike.

“Ndër objektivat për vitin 2025 janë avancimi i integrimit, pjesëmarrje aktive në nisma rajonale, ruajtja e profilit të Shqipërisë dhe angazhimi në organizata ndërkombëtare, thellimi i marrëdhënieve me SHBA-në, BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet fqinjë si Itali, Greqi e Turqi për të forcuar sigurinë dhe zhvillimin ekonomik. Po ashtu edhe mbështetjen e Kosovës dhe faktorit shqiptar duke kontribuar me dialog konstruktiv dhe bashkëpunim të ngushtë”, tha Hasani.

Hasani theksoi se për vitin 2025 do të hapen edhe 4 ambasada të reja, konkretisht në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia.

Sipas tij, kjo po bëhet në kuadër të forcimit të rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, por edhe në avancimin me integrimin në BE.

Lidhur me synimin për integrimin e vendit brenda 2030, Hasani u shpreh se vitin e ardhshëm do të hapen edhe negociatat për 2 grupkapitujt e tjerë.

“Do hapim ambasada të reja në Bosnje-Hercegovinë, Indi, Indonezi dhe Kenia dhe konsullata në disa destinacione strategjike. Duke forcuar rolin e Shqipërinë në arenën ndërkombëtare. Kemi synim arritjen e misionit për 2030-ën për ta çuar vendin në BE, transformimin dhe integrimin, për të hapur 2 grupkapituj të rinj deri në fund të vitit të ardhshëm. Të ndërtojmë imazh të fortë dhe të besueshëm për Shqipërinë dhe ne jemi të angazhuar. Kemi plan të qartë që Shqipëria të realizojë aspiratat europiane”, tha Hasani.

Sipas tij, “ky është një rrugëtim i gjatë por jemi të bindur se do e realizojmë deri në vitin 2030”.

Ministri theksoi po ashtu se “ky proces kërkon bashkëpunim të institucioneve, në mënyrë që të gjithë së bashku të sigurojmë integrimin në BE”./ata