Bashkia e Korçës për të dytin vit rresht ka rritur pagat.
Paga më e lartë është e kryebashkiakut Filo e cila u rrit vitin e kaluar me 13% dhe këtë vit me 53 përqind duke shkuar në 260 mijë lekë në muaj, bruto. Në total përgjatë dy viteve kryebashkiaku i Korçës e rriti pagën e tij me 73%.
Por rritje të madhe kanë përfituar edhe nënkryetarët të cilët do të marrin çdo muaj 205 mijë lekë, ose 41% më shumë.
Paga e një drejtori të përgjithshëm në këtë bashki është rritur maksimalisht me 86%, për drejtorët e drejtorive u rrit me 75% më shumë se një vit më parë, përgjegjësit e sektorëve do të marrin 43% pagë më të lartë, ndërkohë që administratorët e rajoneve dhe administratorët e njësive do të paguhen po ashtu më shumë, me 41% , dhe 22% rritje page.
Tabela e pagave ka kaluar për votim në këshillin bashkiak të Korçës në një mbledhje jashtë radhe. Ndërsa përfaqësuesit e bashkisë shpjegojnë se përse u bë rritja.
Jo të gjithë janë dakord me tabelën e pagave që përgatiti stafi I kryebashkiakut..
“Projektvendimi ka pasur për qëllim rritjen e pagave të drejtuesve të cilat ishin në masën rreth 53% ndërkohë që për masën tjetër të punonjësve të administratës ka pasur rritje rreth 4000 lekë që përkthehet në rreth 8%. Pra rritja nuk ishte proporcionale, nuk ishte e studiuar dhe nuk kishte qëllim rritjen e pagave për shkak të mirëqenies apo trajtimit të punonjësve por është një rritje selektive vetëm për interesat e tyre dhe për interesa të mëdha të cilat do të përdoren për shkak të fushatës elektorale për zgjedhjet e ardhshme që do të vijnë pas 6 muajsh.
Pagat që janë rritur është paga e kryetarit të bashkisë, nënkryetarëve të bashkisë dhe disa drejtorë drejtorish ndërkohë që masa e administratës ka një rritje prej 4 mijë lekësh ose 8 %. Ne kemi abstenuar për t’ju dhënë mesazhin e qartë që ne nuk jemi pro rritjes në këtë formë sepse si të votosh kundër si të abstenosh mesazhi është i njëjti”, tha Elvin Bregu, këshilltar i grupimit Demokratët Euroatlantikë.
Asnjë votë kundër, 2 abstenime dhe 27 vota pro u dhanë në mbledhjen ku ishin të pranishëm 29 këshilltarë bashkiakë nga 41 që janë në total, të cilët po ashtu përfitojnë nga rritja e pagave pasi për punën e tyre në këshill paguhen sa 10% i rrogës së kryetarit të bashkisë./TopChannel