Ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Karl Bergner ka nënshkruar një marrëveshje me drejtoren e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, Françeska Muço, si një formë mbështetje për Programin e Praktikës për Profesionistët e Rinj të Ballkanit Perëndimor.

Në një postim në rrjetet sociale të Ambasadës Gjermane në Tiranë theksohet se Ambasadori Bergner gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, u shpreh se, “qëllimet e programit janë: të promovojë bashkëpunimin ekonomik rajonal dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në Ballkanin Perëndimor; të forcojë mobilitetin dhe aftësitë profesionale të të rinjve duke krijuar një mjedis më të favorshëm për bashkëpunim ndërkufitar midis kompanive dhe OJQ-ve, një kontribut i rëndësishëm në agjendat kryesore rajonale.”

“Programi mbështet integrimin në BE dhe zhvillimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor përmes promovimit të lëvizjes së lirë të të rinjve profesionistë dhe krijimit të një rrjeti mbështetës për bashkëpunimin rajonal të kompanive dhe OJQ-ve. 12 bursantët nga Ballkani Perëndimor do të kenë mundësinë të kryejnë një praktikë në njërin nga vendet e BP6, të zgjerojnë aftësitë e tyre përmes trajnimeve të dedikuara, përvojës praktike profesionale dhe të shkëmbejnë njohuritë e tyre në nivel rajonal. Një hap i rëndësishëm drejt promovimit të kapitalit njerëzor dhe një të ardhme më të mirë për rajonin”, thotë ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri./ata