Një tentativë për të futur lëndë narkotike nga Dubai në Tiranë është parandaluar dhe goditur në Rinas, si rezultat i një operacioni të përbashkët policor të koduar “Fluturimi”, organizuar nga Komisariati i Policisë Rinas, autoritetet doganore dhe Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Policinë e Tiranës.

Në kuadër të këtij operacioni, Policia njofton se një shtetas 21-vjeçar, i identifikuar si B. T., banues në Luksemburg, u arrestua në flagrancë pasi kishte tentuar të trafikonte nga Dubai drejt Tiranës 26 kilogramë e 700 gramë lëndë narkotike të dyshuar si kanabis, të fshehur në bagazhet e tij.

Policia, në bashkëpunim me autoritetet doganore dhe bazuar në informacione nga inteligjenca policore, organizoi operacionin “Fluturimi” për të parandaluar këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të bagazheve të shtetasit B. T., u sekuestrua lënda narkotike, e cila do të shërbejë si provë materiale.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme./ata