Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri të ditur sot se së shpejti do të kalojë për shqyrtim në Kuvend ligji i ri “Për shërbimin e jashtëm”.

Gjatë diskutimeve në komisionin për Çështjet Europiane, Hasani u shpreh se në këtë ligj parashikohet ndër të tjera edhe krijimi i koordinatorëve diplomatikë në institucionet kryesore.

Kjo, sipas tij, i shërben procesit të integrimit europian.

Hasani bëri të ditur se koordinatorët do të jenë diplomatë karriere që do të punojnë në ministritë e linjës që merren me raportime dhe me politika ekskluzive.

“Kjo synon që të ndihmohen të gjitha institucionet për dokumente dhe ekspertizën që ofrohen. Jam gjithmonë partizan i angazhimit të përbashkët, krijimit të mekanizmave që heqin elementët personalë dhe krijojnë mundësinë e reagimit në mënyrë sa më institucionale për tema të rëndësishme siç është integrimi”, tha Hasani, ndërsa shtoi se ” MEPJ merret me aspektin politik të integrimit”./ata