Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se pret të ketë një partneritet më të fortë me SHBA-në nën udhëheqjen e presidentit të zgjedhur Donald Trump.

Komentet e Vuçiqit erdhën pas një bisede telefonike që ai dje e zhvilloi me Trump-in.

"I jam mirënjohës Trump-it që di shumë gjëra për Serbinë, madje foli edhe për sukseset sportive të vendit tonë. Shfrytëzova rastin, me dëshirën për të zhvilluar më tej marrëdhëniet tona në të gjitha sferat e shoqërisë dhe shpreha shpresën që ai do të vizitojë Serbinë, sepse Serbia ishte një vend ku mbështetja për zgjedhjen e presidentit Trump ishte më e madhja në të gjithë Evropën", tha ai në rrjetet sociale.

Vuçiq tha se Trump e falënderoi atë për mbështetjen e madhe që mori nga populli serb dhe shprehu besimin se do të mund të diskutojë për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat në periudhën e ardhshme./aa