Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock i bëri thirrje Izraelit që të hapë të gjitha pikat kufitare në Rripin e Gazës për ndihmë humanitare.

Në deklaratën e saj, Baerbock tha se me afrimin e dimrit nuk mund të ketë situatë më urgjente sesa ushqimi, uji, ilaçet, produktet higjienike dhe tendat që arrijnë tek njerëzit në Gaza. "Të gjitha pikat kufitare në Gaza duhet të hapen për ndihma humanitare. Kjo duhet të bëhet pa justifikime. Qeveria izraelite duhet të jetë e matur për këtë çështje", tha ajo.

Baerbock theksoi se shumë pak ndihma kanë arritur në Gaza në 12 muajt e fundit. "Shumica e mbi 2 milionë njerëzve që jetojnë në Gaza vuajnë nga kequshqyerja akute dhe jetojnë në kushte të paimagjinueshme. Mijëra fëmijë pa prindër dhe me dhimbje ulen mes rrënojave. Nuk ka asnjë vend tjetër në botë ku ka kaq shumë fëmijë të amputuar në një zonë kaq të vogël", tha ajo.

Shefja e diplomacisë gjermane potencon se e drejta e Izraelit për "vetëmbrojtje" është e kufizuar nga ligji ndërkombëtar humanitar. "Kjo përfshin faktin se aksesi i ndihmës humanitare duhet të sigurohet gjithmonë dhe nuk duhet të bëhet kurrë një mjet lufte. Premtimet e bëra në mënyrë të përsëritur nuk janë përmbushur", tha Baerbock.

Ajo përsëriti se duhen bërë punime serioze për përfundimin e konfliktit dhe për çështjen e armëpushimit. Baerbock tha se pa armëpushim, vdekjet nuk do të ndalen dhe vuajtjet nuk do të marrin fund./aa