Samiti i jashtëzakonshëm arabo-islam filloi në kryeqytetin saudit Riad për të diskutuar luftërat e vazhdueshme të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban.

"Ne përsërisim refuzimin tonë të gjenocidit të kryer nga Izraeli kundër popullit palestinez", tha Princi i Kurorës i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në fjalimin hapës në samit.

Ai theksoi nevojën për të vazhduar përpjekjet për të krijuar një shtet të pavarur palestinez në tokat e vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet.

Princi i kurorës dënoi gjithashtu përpjekjet izraelite për të penguar agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) të dërgojë ndihma në Gaza.

Bin Salman tha gjithashtu se vendi i tij kundërshton çdo kërcënim për sigurinë dhe sovranitetin e Libanit.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas, nga ana e tij, u bëri thirrje vendeve arabe dhe islame që të tregojnë nivelet më të larta të solidaritetit me popullin palestinez.

Ai gjithashtu kërkoi zbatimin e një rezolute të OKB-së për të ndalur sulmet izraelite në Gaza dhe për të siguruar dërgimin e ndihmave humanitare në enklavë.

Më shumë se 50 liderë të vendeve arabe dhe islame po marrin pjesë në samit, përfshirë presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan./aa