Anëtarë të partisë politike nga komuniteti serb në Kosovë “Demokracia serbe” kanë mbajtur një protestë në Prishtinë në kohën kur Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) prezantoi raportin e monitorimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Anëtarë të kësaj partie shpalosën një pankartë me fotografi të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët i akuzonin për “sjellje të paligjshme” dhe publikim të “papërshtatshëm” të përmbajtjeve në rrjetet sociale.
Zv/kryetari i partisë "Demokracia serbe", Stefan Veljkoviq, tha se edhe sipas ligjeve të Kosovës zyrtarët policorë nuk duhet që gjatë punës të shfaqin shenja apo simbole të religjionit, anim politik, orientim seksual apo ndasi etnike.
Rrjedhimisht, tha Veljkoviq, ata kërkojnë nga EULEX-i të bëjnë punën e tyre, të përmbushin mandatin e tyre, sepse sipas tij, edhe pjesëtarët e EULEX-it i kanë parë këto fotografi në rrjetet sociale. Sipas tij, nëse EULEX-i nuk ndërmerr diçka “misioni i tyre nuk ka asnjë kuptim”.
“Ne presim që autoritetet të reagojnë sepse këtu kemi 30 deri në 40 raste kur oficerë të Policisë së Kosovës janë vetëdeklaruar si policë shqiptarë, jo si policë të Kosovës, gjë e cila duhet të jetë e paanshme, por ne mendojmë se është aktualisht e anshme”, theksoi ai.
EULEX-i prezantoi raportin e katërt publik për monitorimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, ku ndër tjera vlerësoi "produktivitetin" e seancave gjyqësore në Kosovë.
Gjatë protestës është parë se policia e Kosovës ka marrë masa të gjera sigurie rreth zonës.
Protesta, e cila zgjati rreth gjysmë ore, përfundoi pa incidente./aa