Në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut u diskutua sot edhe buxheti për Autoriteti për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit.

Por gjatë diskutimeve, deputeti i opozitës Enkelejd Alibeaj, pyeti kryetaren e Autoritetit të Dosjeve, Gentiana Sula në lidhje me figurat që do kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025 dhe afatet që duhen për verifikimin e tyre, që të mos bëhen pjesë e fletës së votimit nga KQZ.

“Mund të ndodhë që shumë nga kandidaturat potenciale të vijnë te ju të kërkojnë pastërtinë e figurës”- tha Alibeaj, i cili shtoi se nëse do të kishte një fluks kërkesash ndaj institucionit për verifikim të emrave, i kërkuar nga institucionet dhe vetë KQZ, sa ishte afati dhe nëse ky proces mund të përballohej dhe realizohej.

Specialistët e Autoritetit, të pranishëm në Komision, shpjeguan edhe afatet.

“Mirë do të ishte 70 ditë para zgjedhjeve të vinin këto kërkesa. 50 ditë nga momenti kur janë emëruar dhe afati i fundit është 30 ditë. Por ne duam 70 ditë para zgjedhjeve. Se mund të kemi shumë kandidatë, por edhe 50 ditë para zgjedhjeve në mund të bëjmë të mundur ta kryejmë procedurën e verifikimit. Nëse vijnë njëkohësisht, koha për t’u verifikuar them se zgjat 20 ditë. Ndaj vetëdeklarimi i tyre është zgjidhja më e mirë e mundshme”, sqaroi një prej të pranishmëve.

Nga ana tjetër kryetarja, Gentiana Sula vuri në dukje mbingarkesën e materialeve aktualisht dhe fluksit të dokumenteve që vijnë, por tha se procesi do kryhet i plotë dhe nuk do lihet në mes. Ajo shtoi edhe çështjen e nisur të verifikimit të figurave si në rastet e medaljeve apo emrave të rrugëve.

“Çështja është se arkiva rrit brumin e saj, rishikohet protokolli, shtohet me prurjet e reja dhe jemi gjithë kohës në përditësim. Sepse SHISH vijon sjellë dokumente e materiale, Ministria e Mbrojtjes po ashtu, edhe Ministria e Brendshme. Këtë vit kemi skanuar 7 milionë dokumente, do skanojmë edhe 8 milionë të tjera, 22 janë në total dhe besoj 2-3 vjet përfundon ky proces” tha Sula ndër të tjera./ata