Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka marrë pjesë në një takim në Mal të Zi me anëtarët e Bordit Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), me fokus të rinjtë dhe përmirësimin e menaxhimit të RYCO-s.
Ministrja Muzhaqi theksoi se forcimi i rolit të të rinjve në shoqëri dhe shumë fusha të tjera si dhe rritja e bashkëpunimit në nivel rajonal, mbetet prioritet i qeverisë Rama.
“Në takimin me anëtarët e Bordit Drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), përfaqësues rinorë dhe përfaqësues nga GIZ, ku diskutuam mbi strategjitë për përmirësimin e menaxhimit të RYCO dhe përgatitjet për mbledhjen e ardhshme në Neum, Bosnje dhe Hercegovinë. Fuqizimi i të rinjve shqiptarë dhe i gjithë rajonit është përparësi e jona, duke forcuar lidhjet me OSHC-të dhe duke e konsoliduar RYCO-n si një pikë kyçe bashkëpunimi për rininë”, thotë Muzhaqi në postimin në rrjetet sociale.
Objektivi i përgjithshëm i RYCO-s është që të mbështetet shoqëria civile në Ballkanin Perëndimor për të nxitur ruajtjen, ndërtimin e paqes, bashkëpunimin rajonal dhe mësimin ndërkulturor duke u ofruar të rinjve mundësi që krijojnë hapësirë për dialog, mësim të ndërsjellë dhe rritje të mirëkuptimit në të gjithë rajonin./ata