Inflacioni u përgjysmua nga nivelet e një viti më parë, duke reduktuar kostot e jetesës dhe duke rritur vlerën e të ardhurave dhe të kursimeve të familjeve shqiptare.

Banka e Shqipërisë publikoi sot Raportin e Politikës Monetare për 3 mujorin e IV të vitit 2024, ku theksoi se,”përtej rënies së inflacionit në tregjet botërore, një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim ka dhënë politika e kujdesshme monetare, që mundësoi reduktimin gradual të inflacionit, pa dëmtuar trendin pozitiv të rritjes ekonomike”.

Sipas BSH-së, rritja ekonomike mbeti në nivele të larta, duke gjeneruar rritje të punësimit e të pagave dhe më shumë të ardhura për familjet dhe bizneset shqiptare.

Po ashtu, shëndeti ekonomik dhe financiar i ekonomisë u përmirësua: borxhi i huaj dhe ai publik shënuan rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve mbeten të shëndetshme, dhe treguesit e qëndrueshmërisë dhe të ndërmjetësimit të sektorit bankar u konsoliduan.

Në pasqyrim të këtyre trendeve pozitive, Shqipëria ka njohur një përmirësim të renditjes së borxhit publik të vendit nga agjencitë prestigjioze ndërkombëtare.

BSH-ja vëren se, inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë muajve të mbetur të vitit 2024 dhe të kthehet gradualisht në objektivin 3% gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.

“Kontributi më i mirë që Banka mund të japë për të mbështetur rritjen ekonomike dhe  mirëqenien shoqërore është të garantojë një inflacion të ulët dhe të qëndrueshëm.  Zhvillimet  e  fundit  globale  krijojnë  pasiguri  dhe  rreziqe  ndaj  të ardhmes. Për këtë arsye, vendimet tona do të vazhdojnë të orientohen nga të dhënat e reja dhe do të balancojnë me kujdes rreziqet ndaj inflacionit dhe rritjes ekonomike, në afatin e shkurtër e të mesëm. Në çdo rast, vendimet do t’i shërbejnë arritjes e ruajtjes së stabilitetit të çmimeve”, citon Raporti i BSH-së./ata