Drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) Valbona Zhupa prezantoi sot para anëtarëve të Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik projektbuxhetin e këtij institucioni për vitin 2025, ku edhe kërkoi një shtesë prej 15 milionë lekë për fazën e parë të inventarizimit dhe konservimit të arkivës së institucionit.

Duke folur për punën e ATSH-së, Zhupa tha se “ATSH ka një qasje objektive, realiste dhe origjinale ndaj lajmit, ngjarjeve dhe zhvillimeve brenda dhe jashtë vendit që vjen si pasojë e një raportimi të paanshëm me integritet si një standard i rëndësishëm në gazetari që synon të ofrojë lajmin e verifikuar e të balancuar”.

“Promovimi i raportimit të paanshëm ka forcuar besueshmërinë dhe reputacionin e Agjencisë, si një burim i besueshëm i lajmeve për publikun shqiptar dhe ndërkombëtar. Nga bashkëpunimi me një rrjet të rëndësishëm prej të paktën 50 agjencish zyrtare dhe partnerësh ndërkombëtarë, ATSH shpërndan sot informacion nga e gjithë vendi dhe bota, duke marrë dhe dërguar çdo ditë lajme në shqip, anglisht dhe frëngjisht. Dua të nënvizoj se në web-in zyrtar të ATSH-së publikohen rreth 200 tituj lajmesh në ditë. Një shifër aspak modeste, shtuar faktin se të tëra këto janë lajme të verifikuara e të kontrolluara me besueshmëri dhe paanshmëri. Gjithmonë burimi është zyrtar”, theksoi Zhupa.

Drejtoresha e ATSH-së, Zhupa e vendosi theksin edhe tek lufta kundër dezinformimit.

“Ne kemi luftuar kundër dezinformimit, që do të thotë angazhim për të siguruar informacion të saktë për publikun. Për këtë arsye, ATSH në punën e përditshme nuk ndal së verifikuar faktet duke edukuar edhe publikun mbi rëndësinë e burimit të besueshëm, ndërsa identifikon dhe korrigjon informacionin e rremë që përhapet në media e rrjete sociale dhe gjithashtu bashkëpunon me organizatat e tjera të  lajmeve dhe agjencitë ndërkombëtare duke ndarë praktikat më të mira për të luftuar dezinformimin në shkallë globale”, tha Zhupa.

Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së kërkoi në Komision për Edukimin një bashkëpunim ndërinstitucional për digjitalizimin e arkivës së ATSH-së.

Zhupa tha se”digjitalizimi i arkivës është proces me disa faza, kërkon inventarizimin, kategorizimin dhe konservimin. Ne kemi materiale, filma bardhë e zi, të cilat kërkojnë një vend dhe temperaturë të caktuar për t’u ruajtur. Nëse materialet ruhen siç duhet mund t’i shumëfishosh sa herë të duash. Kërkohet një hapësirë e caktuar se aty ku jemi nuk kemi vend. Nëse e ke të konservuar arkivin, ke bërë hapin më të rëndësishëm”.

“Për të gjithë këtë kemi kërkuar 15 milionë lekë shtesë këtë vit, si fillim  të paktën të konservohet arkiva, të jetë në kushte optimale, që materialet të mos prishen, të mos i hajë lagështira dhe myku”, tha Zhupa.

Drejtoresha e ATSH-së Zhupa i informoi anëtarët e komisionit se ka vendosur të bëjë një kalendar për t’ua shpërndarë atyre dhe publikut me disa foto interesante nga arkivi.

“Dua që të kuptoni sa i bukur dhe i rëndësishëm është arkivi i ATSH-së, sa shumë vlerë ka”, tha ajo.

Gjithashtu, Valbona Zhupa kërkoi mbështetjen e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për hartimin dhe miratimin e një kuadri të ri ligjor “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare” pasi ende funksionon me Dekretin numër 1960, datë 9.11.1954 miratuar nga kryetari i presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi.  “Më lejoni t’Ju them se çdo përvojë e juaja në hartimin e këtij ligji do të jetë një ndihmë e paçmuar për ne. Hartimi dhe miratimi i këtij ligji do të sjellë një hap cilësor që do të kontribuojë në lartësimin e ATSH-së si një institucion kyç për informimin publik dhe promovimin e imazhit të Shqipërisë”, përfundoi Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa./ata