Ofrimi i shërbimeve sociale nga profesionistët dhe punonjës të kualifikuar është një domosdoshmëri dhe luan rol kryesor për ofrimin e shërbimeve të aksesueshme dhe cilësore, veçanërisht për grupet vulnerabël si fëmijët, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, vajzat dhe gratë, si dhe familjet në nevojë.

Në kuadër të reformës për mbrojtjen sociale, veçanërisht zgjerimin e shërbimeve sociale të integruara, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizoi sot aktivitetin “Zhvillimi i profesionistëve të së nesërmes”, me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe burimeve në fushën e shërbimeve shoqërore, ofruar nga profesionistë të trajnuar në fushën e kujdesit social.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha se lufta për barazi, solidaritet dhe gjithpërfshirje është një luftë që do të bëjë dallimin më të madh midis Shqipërisë së djeshme nga Shqipëria e të nesërmes.

Ajo nënvizoi se figurat profesionale të kualifikuara me kapacitetet e nevojshme janë të gatshme për të ofruar shërbime sociale, cilësore në Shqipërinë evropiane 2030

“Punonjësit e kujdesit social, operatorët social-shëndetësor, ndihmësit personalë dhe familja kujdestare profesionale do të jenë profilet e reja, të cilët do të luajnë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së jetës së individëve në nevojë. Kjo është pjesë e një vizioni dhe një qasje gjithpërfshirëse, që ka si qëllim jo vetëm mbështetjen, por rehabilitimin dhe aktivizimin aktiv të të gjithë këtyre individëve në shoqërinë tonë”, u shpreh Koçiu.

Ministrja Koçiu deklaroi se “aktualisht, janë të regjistruar pranë Urdhrit të Psikologut 2.400 psikologë, nga të cilët rreth 1.400 ushtrojnë profesionin. Në Urdhrin e Punonjësit Socialë janë të regjistruar 830 punonjës socialë, nga të cilët rreth 600 janë të licencuar”.

Sipas saj, pa një mbështetje të vazhdueshme dhe një sistem të fuqishëm mbështetës për zhvillimin e këtyre profesionistëve, do të ishte e vështirë të ofrohen shërbime të cilësisë së lartë dhe të përshtatshme për ata që kanë më shumë nevojë.

“Prandaj, është e domosdoshme që të rishikojmë dhe të modernizojmë legjislacionin përkatës dhe të hartojmë aktet nënligjore që mundësojnë mbikëqyrjen dhe rregullimin e këtyre profesionistëve. Jemi duke duke punuar së bashku me Asistencën Teknike të BE-së për të siguruar një plan veprimi të detajuar për të gjitha ndërhyrjet si rishikimi i kuadrit ligjor, hartimi dhe përmirësimi i kurrikulave dhe moduleve si dhe çdo komponent tjetër të lidhur me ngritjen, funksionalitetin dhe zbatueshmërinë e figurave të reja të së nesërmes”, shtoi Koçiu.

Më tej, Ministrja u ndal edhe në përpjekjet dhe angazhimet e MSHMS për zgjerimin gjithmonë edhe më shumë të ombrellës së mbrojtjes sociale.

“Është një ombrellë që deri disa vite më parë ishte e përqendruar vetëm rreth kryeqytetit dhe disa prej qyteteve të rëndësishme të vendit. Ia kemi dalë mbanë ta shtrijmë atë efektivisht në të gjithë Shqipërinë. Ombrella e mbrojtjes sociale përbëhet sot nga 40 institucione publike të përkujdesit social, 25 institucione publike të tipit rezidencial, qendra për fëmijët, të moshuarit, individët me aftësi ndryshe, viktimat e dhunës, trafikimit, etj. Njëkohësisht, falë rritjes së vazhdueshme të mbështetjes dhe fondeve në dispozicion të Mbrojtjes Sociale, si dhe falë forcimit të bashkëpunimit me pushtetin vendor dhe shoqërinë civile, është rritur gama e shërbimeve komunitare në mbi 70”, nënvizoi ajo.

Duke u ndalur te projektbuxheti i vitit 2025, ministrja Koçiu theksoi se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, përsa i përket Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, tejkalon vlerën e 1 miliardë eurove.

“Falë rritjes së këtij buxheti, ne do të kemi mundësinë që të rrisim në mënyrë progresive edhe mbështetjen e ofruar nga shërbimi ynë social. Gjithashtu, forcimi i bashkëpunimit midis Fondit Social dhe njësive të pushtetit vendor ka si qëllim që të plotësojë gjithmonë edhe më shumë nevojat bazë në komunitet, kudo që këto nevoja identifikohen. Jam krenare rreth faktit që buxheti 2025 është ndërtuar rreth këtyre nevojave, pas konsultimeve të vazhdueshme të MSHMS me të gjithë partnerët dhe aktorët kryesorë, përfshi koordinatorët apo punonjësit socialë. Prandaj ju inkurajoj që të gjithë së bashku, të përpiqemi të jemi sa më proaktiv në identifikimin e problemeve, e mbi të gjitha, në rekomandimin dhe identifikimin e zgjidhjeve”, përfundoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Shefi i Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së në Tiranë, Hubert Perr tha se “Bashkimi Evropian është i kënaqur që mbështet Ministrinë në krijimin e një force pune më të aftë në fushën sociale për qytetarët e Shqipërisë, në kuadër të programit tonë “BE për Përfshirjen Sociale”.

“ Në periudhën në vijim, do të fokusohemi në ofrimin e trajnimeve të vazhdueshme për zhvillimin profesional të punonjësve të kujdesit social, veçanërisht në nivel bashkiak. Për të përmirësuar sistemin e mbrojtjes sociale në një mënyrë të qëndrueshme, ne inkurajojmë autoritetet që të zhvillojnë një mekanizëm të mirë koordinimi, duke përfshirë të gjithë aktorët, përfshirë qeverisjen qendrore dhe vendore, organizatat joqeveritare, si dhe ofruesit publikë dhe privatë të shërbimeve. Për më tepër, do të nevojiten përpjekje për të krijuar një sistem zhvillimi dhe përshtatjeje të vazhdueshme, për t’iu përgjigjur nevojave në ndryshim të popullatës së synuar”, deklaroi Perr.

Punonjësit e kujdesit social, operatorët social-shëndetësor, ndihmësit personalë dhe familja kujdestare profesionale do të jenë profilet e reja, të cilët do të luajnë një rol kyç në përmirësimin e cilësisë së jetës së individëve në nevojë, duke mundësuar pavarësinë dhe integrimin e tyre në shoqëri.

Aktualisht , 3200 profesionistë janë të punësuar në sektorë të ndryshëm; 230 punonjës socialë në sistemin arsimor; 155 punonjës socialë në shërbime të përkujdesit shoqëror; 22 punonjës socialë në sistemin e drejtësisë; 35 punonjës socialë ne sistemin shëndetësor./ata