Në kampusin e Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik (IBU) në Shkup është organizuar konferenca "Perspektiva për një të ardhme të përbashkët", ku u diskutua për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE) dhe marrëdhëniet midis bllokut evropian dhe Türkiyes.

Në aktivitet morën pjesë ministri për Çështjet Evropiane të Maqedonisë së Veriut, Orhan Murtezani, ambasadori turk në Shkup, Fatih Ulusoy, ambasadorë të akredituar në vend, përfaqësues të institucioneve turke në vend, akademikë dhe studentë.

Ministri Murtezani në fjalën e tij në hapjen e panelit tha se angazhimi i Maqedonisë së Veriut në procesin e aderimit është i rrënjosur në vizionin për një të ardhme që është inkluzive dhe me prosperitet, e bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta dhe respektit të ndërsjellë.

Sipas tij, sot Maqedonia e Veriut qëndron si një partner plotësisht i përkushtuar në përpjekjet e përbashkëta për të arritur stabilitet dhe kohezion në rajon. "Tani kemi hyrë në fazën kyçe të përmbushjes së kushteve për hapjen e Klasterit 1 për sundimin e së drejtës dhe vlerave fundamentale. Për më tepër, kemi propozuar udhërrëfyes që lidhen me reformat në sistemin e drejtësisë, të drejtat e pakicave dhe reformën e administratës publike", tha ai.

Ai tha se është nder për të që të njohë partneritetin që ndajnë me Türkiyen. "Megjithatë, edhe pse procesi i aderimit të Türkiyes përballet me sfida të mëdha, mbështetja e saj për aspiratat e Maqedonisë së Veriut thekson rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përpjekjet tona të përbashkëta për stabilitet dhe progres në Ballkanin Perëndimor", theksoi Murtezani.

 

- "Türkiye është pjesë e pandarë e Ballkanit"

Ambasadori turk Ulusoy, nga ana e tij, potencoi se që nga lufta në Ukrainë, BE-ja ka ndërmarrë hapa historikë në politikën e saj të zgjerimit.

Ai potencoi nevojën se 10 vendet e zgjerimit duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. "Ndarja artificiale në politikën e zgjerimit të BE-së, siç është Ballkani Perëndimor dhe qasjet e diferencuara për këtë qëllim, nuk janë të dobishme. Türkiye, gjithashtu një vend ballkanik, në vetvete nuk është rival dhe as fuqi e jashtme që ndërhyn në rajon. Türkiye është pjesë integrale e Ballkanit dhe dëshiron të sjellë forcë të re në BE si anëtare e ardhshme", tha ambasadori Ulusoy.

Duke theksuar se mbështesin të gjithë iniciativat që synojnë promovimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan, Ulusoy tha: "Në këtë drejtim ne e vlerësojmë Procesin e Berlinit edhe pse nuk përfshihemi për shkak të ndarjes artificiale mes Türkiyes dhe pjesës tjetër të Ballkanit".

Ulusoy tha se Türkiye ka marrëdhënie të forta dhe pozicion shembullor me secilin nga vendet e Ballkanit. Ai vuri në dukje se falë këtij pozicioni të veçantë, Türkiye mund të bisedojë në mënyrë konstruktive me të gjitha palët në Ballkan, pavarësisht prejardhjes së tyre etnike dhe fetare.

Ambasadori hungarez në Shkup, Andras Klein, vendi i të cilit kryeson me Këshillin e BE-së, në fjalimin e tij u përqendrua në përgjithësi në pikëpamjen e vendit të tij rreth procesit të zgjerimit të BE-së si dhe kryesimit të vendit të tij me BE-në.

Ai thotë se pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022, shumë politikanë evropianë deklaruan se ishte koha që BE-ja të mendonte gjeopolitikisht. "Si diplomat në atë kohë mbaj mend që isha mjaft optimist. Tani jemi në nëntor 2024 dhe nëse i bëjmë vetes pyetjen se çfarë (ndryshimi) thelbësor ka ndodhur në fushën e zgjerimit vitet e fundit, ka vetëm një përgjigje të sinqertë: 'jo shumë'", tha Klein.

Sipas tij, arsyeja për këtë është e vështirë dhe komplekse. Ambasadori hungarez tha se mund të thuhen arsye si mungesa e vendimmarrjes politike në BE dhe imigracioni i paligjshëm.

 

- Paneli vazhdoi me dy sesione

Rektori i IBU-t, prof. dr. Lütfi Sunar, nga ana e tij, duke tërhequr vëmendjen në rëndësinë e aktivitetit, lidhur me aspiratat e Maqedonisë së Veriut dhe Türkiyes tha: "Për të dy vendet, Maqedoninë e Veriut dhe Türkiyen, Bashkimi Evropian ka simbolizuar prej kohësh një hapësirë ​​premtimi, përparimi dhe idealesh të përbashkëta".

"Për Maqedoninë e Veriut, anëtarësimi në BE qëndron në realizimin e aspiratave për të kontribuar në mënyrë aktive për një Evropë paqësore dhe të begattë. Për Türkiyen me historinë e saj të rrënjosur thellë, shoqërinë dinamike dhe rëndësinë strategjike, BE-ja përfaqëson mundësi për të thelluar lidhjet e saj të gjata me kontinentin dhe për të përforcuar rolin e saj si një forcë stabilizuese brenda një peizazhi të trazuar gjeopolitik", tha Sunar.

Paneli pas fjalimeve hyrëse vazhdoi me dy sesione të titulluara "Riintegrimi Evropian i Ballkanit dhe Roli i Türkiyes si Faktor Stabilizues" si dhe "Ndikimi i BE-së në Marrëdhëniet midis Türkiyes dhe Maqedonisë së Veriut"./aa