Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka deklaruar se fermerët nuk duhet të paguajnë çmimin për të luftuar ndryshimet klimatike, duke theksuar se ata nuk mund të sakrifikojnë as industrinë dhe as bujqësinë në procesin e tranzicionit të gjelbër.

"Ne duhet të vazhdojmë të avancojmë tranzicionin e gjelbër duke ruajtur gjithashtu përdorimin tonë të gazit natyror, naftës dhe energjisë bërthamore", tha Orban gjatë fjalimit të tij në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29) në kryeqytetin Baku të Azerbajxhanit.

Duke theksuar se Hungaria është ndër vendet e pakta që ka qenë në gjendje të përmirësojë performancën e saj ekonomike duke ulur emetimet në vitet e fundit, Orban tha se nuk mund të sakrifikojnë industrinë apo bujqësinë në këtë proces.

"Çmimi i ndryshimeve klimatike nuk duhet të paguhet nga fermerët tanë. Fermerët janë shtylla kurrizore e ekonomisë dhe shoqërisë sonë", shtoi ai.

Më tej, kryeministri hungarez tha se tranzicioni i gjelbër dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike nuk duhet bërë kundër komunitetit të biznesit, “por bashkë me të”. Ai theksoi nevojën për garanci të qarta financiare dhe investime të konsiderueshme.

"Politika jonë e klimës duhet të udhëhiqet nga konsiderata e kujdesshme dhe arsyeja e shëndosh, jo nga alarmizmi apo paniku ideologjik. Secili duhet të përputhet me opinionin dhe interesin e qytetarëve evropianë", theksoi ai.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, nga ana e tij, në fjalimin e tij në këtë ngjarje tha se veprimi i klimës është në qendër të misionit të qeverisë së tij për mbrojtjen dhe prosperitetin e Britanisë dhe botës.

"Veprimi për klimën tani është rruga drejt rritjes ekonomike, sigurisë së energjisë, vendeve më të mira të punës dhe sigurisë kombëtare në afat të gjatë, për të përmbushur Marrëveshjen e Parisit dhe për ta mbajtur brenda mundësive 1.5 gradën (Celsius)", shtoi ai.

Starmer tha se ata nisën iniciativën ‘Energjia e Madhe Britanike’ për të përmirësuar elasticitetin e energjisë dhe krijuan një fond kombëtar të pasurisë për të investuar në industritë e gjelbra dhe vendet e punës të së ardhmes.

"Ne hoqëm ndalimin e erës në tokë, u angazhuam për jo licenca të reja të naftës dhe gazit të Detit të Veriut dhe mbyllëm termocentralin përfundimtar të qymyrit në Mbretërinë e Bashkuar në fund të shtatorit, duke u bërë ekonomia e parë e G7-tës që do të heq dorë nga energjia e qymyrit në përputhje me marrëveshjen ndërkombëtare në COP28 në tranzicionit nga karburantet fosile”, tha ai.

Duke theksuar se qëllimi ambicioz i vendit të tij është të bëhet ekonomia e parë më e madhe që do të arrijë energji të pastër deri në vitin 2030, Starmer tha se objektivi i tyre për vitin 2035 është të zvogëlojë të gjitha emetimet e gazrave serrë me të paktën 81 për qind në nivelet e vitit 1990.

Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të dalin me objektiva ambicioz të tyre.

Kryeministri spanjoll: Ndryshimet klimatike vrasin

Duke folur gjithashtu në këtë ngjarje, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, përmendi krizën e fundit të motit ekstrem në vendin e tij, ku përmbytjet e përhapura shkatërruan provincën e Valencias dhe morën jetën e të paktën 222 njerëzve.

Duke e quajtur përmbytjen vdekjeprurëse "një nga fatkeqësitë më të mëdha klimatike" në historinë e Spanjës, Sanchez tha se është në konferencën COP29 për të porositur "me zë të lartë dhe të qartë se ndryshimi i klimës vret".

"Ajo që ndodhi në Valencia nuk është një incident i izoluar, ndodh çdo ditë në çdo cep të botës, ne nuk mund të mbyllim një sy, duhet të marrim masa", theksoi kryeministri spanjoll.

Kryeministri Sanchez paralajmëroi se fatkeqësi të tilla do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive për sa kohë që konsumimi i karburantit fosil të vazhdojë./aa