Izraeli po pengon në mënyrë aktive dhe të qëllimshme institucionet e OKB-së, vuri në dukje të hënën ministrja e Jashtme sllovene, Tanja Fajon.
Kryediplomatja sllovene theksoi se vendi i saj ka qenë një nga mbështetësit më të zëshëm të palestinezëve, siç dëshmohet nga njohja e Palestinës si shtet, thirrjet për sanksione ndaj Izraelit për pushtimin e paligjshëm në Palestinë, si dhe për sulmet në Liban dhe luftën në Gaza.
Fajon u shpreh se zgjidhja e vetme është krijimi i një shteti të pavarur palestinez, i cili do të përfshijë Bregun Perëndimor dhe Gazën, me kryeqytet Kudsin Lindor.
"I paralajmëroj kolegët e mi ndërkombëtarë, nëse po flasim për një zgjidhje me dy shtete, siç diktohet nga rezolutat e shumta të OKB-së, ata duhet ta njohin shtetin palestinez siç bëri Sllovenia", tha ajo në një intervistë për transmetuesin publik RTVSLO.
Duke përsëritur se Izraeli po kryen gjenocid në Gaza, Fajon tha se Izraeli ka aleatë të fortë që i ofrojnë mbështetje ushtarake dhe diplomatike. Megjithatë, ajo shtoi se nën administrimin e Netanyahut, vendi po izolohet globalisht.
"Ajo që ne po dëshmojmë sot në Gaza, siç e kam thënë shumë herë, janë shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar dhe statutit themelues të OKB-së", tha Fajon duke shtuar se Izraeli po përdor urinë si mjet lufte kundër popullatës civile në Gaza.
Izraeli ka vazhduar ofensivën shkatërruese në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit të kaluar, pavarësisht një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Sipas autoriteteve lokale shëndetësore, mbi 43.600 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe rreth 103.000 të tjerë janë plagosur. Izraeli përballet me padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për veprimet e tij në Gaza./aa