Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se megaprojektet e vendit të tij kanë ndryshuar hartat e energjisë dhe transportit të Euroazisë.
Aliyev mbajti fjalim në Samitin e Liderëve në kuadër të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP29), që po mbahet në Baku.
"Megaprojektet e iniciuara nga Azerbajxhani tashmë ndryshuan hartat e energjisë dhe transportit të Euroazisë dhe çuan në krijimin e formateve të frytshme të bashkëpunimit shumëkombësh", tha Aliyev në fjalimin e tij hyrës në ceremoninë e hapjes së Samitit të Liderëve Botërorë të Veprimit Klimatik.
Duke theksuar se Azerbajxhani është një pikë-takim gjeografik, Aliyev tha se vendi i tij është gjithashtu një pikë ku mund të ndërtohen ura për të lidhur aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë në aspektin e politikës, kulturës, tregtisë dhe energjisë.
Aliyev tha se potenciali teknik i Azerbajxhanit për energjinë e rinovueshme qëndron në rreth 135 GW në tokë dhe 157 GW në det, dhe se kompania shtetërore e energjisë së rinovueshme të Emirateve të Bashkuara Arabe "Masdar" përuroi termocentralin më të madh diellor në Kaukazin Jugor vitin e kaluar.
Ai më tej tha se kompania energjetike me bazë në Arabinë Saudite ACWA Power po ndërton një stacion të energjisë së erës me një potencial të gjenerimit të 240 MW, duke shtuar se një marrëveshje me British Petroleum do të nënshkruhet gjatë COP29 për të ndërtuar një termocentral diellor 240 MW në jugperëndim të vendit.
Aliyev tha gjithashtu se Azerbajxhani po planifikon të ndërtojë centrale diellore, të erës dhe hidrocentrale që prodhojnë afërsisht 6 GW energji deri në vitin 2030 dhe se ata po punojnë në mënyrë aktive drejt ndërtimit të kabllove energjetike Deti i Zi-Kaspik.
Presidenti i Azerbajxhanit vazhdoi me kritikat për politikanët perëndimorë që e quajnë vendin e tij një "petroshtet", duke e përcaktuar këtë vlerësim si "jo të drejtë", si dhe duke shtuar se kjo tregon "mungesë të kulturës dhe njohurive politike".
"Sot, pjesa e Azerbajxhanit në prodhimin global të naftës është 0.7 për qind, në prodhimin global të gazit është 0.9 për qind. Por, lajmet e rreme të vendit që është prodhuesi numër një i naftës dhe gazit në botë, dhe prodhon 30 herë më shumë naftë se Azerbajxhani, na quajnë 'petroshtet'. Ata më mirë të shikojnë veten ose, të paktën, fqinjin e tyre që prodhon 10 herë më shumë naftë se Azerbajxhani", tha Aliyev.
Ai më tej tha se Azerbajxhani ka qenë në shënjestër të "një fushate të koordinuar, të mirë-orkestruar shpifjesh dhe shantazhi" që kur u zgjodh për të qenë nikoqir i COP29, duke shtuar se vendet duhet të gjykohen nga kritere të tjera, e jo sipas burimeve natyrore që zotërojnë./aa