Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, Valbona Lusha paraqiti sot para anëtarëve të komisionit të Ligjeve, kërkesat e këtij institucioni në kuadër të projektbuxhetit 2025.

Fillimisht Lusha detajoi para anëtarëve të komisionit realizimin e fondeve buxhetore për vitin 2024.

Për vitin 2025, ajo u shpreh se buxheti parashikon investime në pajisje dhe orendi të cilat do të jenë të domosdoshme pas rikonstruksionit të godinës ekzistuese të Presidencës.

Një zë të veçantë në këtë projektbuxhet, sipas saj, zënë edhe investimet për pajisje kompjuterike.

“Vend të veçantë në buxhet ka përfundimi i rikonstruksionit të godinës ekzistuese të presidencës”, tha ajo.

Lusha solli në vëmendje dhe gjendjen e amortizuar në të cilat ndodhet flota e makinave të presidencës, ndërsa kërkoi një fond shtesë prej 36 milionë lekësh për makina.

“Për shkak të amortizimit, gjendjes teknike, kostos së mirëmbajtjes është e nevojshme blerja e automjeteve për një performancë më të lartë. Ndaj mendojmë se institucioni duhet të mbështetet me fondet e kërkuara për blerjen e makinave”, tha ajo./ata