Rusia ka kryer sulm ajror në shkallë të gjerë me raketa dhe me mjete ajrore pa pilot (dronë) ndaj Ukrainës.

Në një deklaratë me shkrim të Forcave të Mbrojtjes Ajrore të Ukrainës thuhet se ushtria ruse ka kryer sulm me dronë dhe raketa ndaj Ukrainës.

Nga forcat e mbrojtjes ajrore janë shkatërruar 4 raketa, përfshirë 2 raketa lundrimi "KH-101", 2 raketa balistike "Iskander-M/KN-23" dhe 37 dronë të tipit "Shahed" të lëshuara nga ushtria ruse, thuhet më tej.

Në sulm janë përdorur më shumë se 90 dronë dhe raketa. Me ndërhyrjen e forcave të mbrojtjes ajrore 47 dronë kanë humbur dhe 2 të tjerë janë tërhequr nga hapësira ajrore e Ukrainës, theksohet në deklaratë.

 

- Sulm ajror i kombinuar në Kiev

Kreu i Administratës Ushtarake të Kievit, Sergey Popko tha se ushtria ruse ka kryer sulm ajror ndaj kryeqytetit Kiev mëngjesin e sotëm me raketa dhe dronë.

Ai bëri të ditur se ushtria ruse nisi sulm të kombinuar në Kiev me raketa dhe dronë për herë të parë pas 73 ditësh ndërsa shtoi se sulmi zgjati më shumë se 2 orë.

Kreu i Bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko njoftoi se mëngjesin e sotëm në Kiev janë dëgjuar shpërthime dhe se janë vënë në funksion sistemet e mbrojtjes ajrore.

Asnjë deklaratë nuk është bërë lidhur me vdekjet, plagosjet apo shkatërrimet si pasojë e sulmit në Kiev.

 

- Reagimi i presidentit ukrainas ndaj sulmit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy reagoi gjithashtu ndaj sulmeve ajrore në vendin e tij në një deklaratë nga llogaria e tij në median sociale.

Ai tha se ushtria ruse sulmoi Ukrainën me më shumë se 90 dronë dhe raketa. "Mëngjesin e sotëm Rusia filloi tjetër sulm të kombinuar ndaj qyteteve tona dhe ndaj kësaj u dha përgjigje efektive nga mbrojtja jonë ajrore", tha Zelenskyy.

Pasi vuri në dukje se ushtria ukrainase duhet të ketë mjetet e nevojshme për të parandaluar sulmet ruse, Zelenskyy potencoi se "Aktiviteti i tillë efektiv i mbrojtjes tonë ajrore nënkupton shpëtimin e jetëve dhe mbrojtjen e infrastrukturës"./aa