DRTK Gjirokastër ka filluar ndërhyrjen emergjente për restaurimin në shpatullën e majtë të Urës mbi Përroin e Bënjës (Monument Kulture Kategoria I), duke evituar shembjen pas gërryerjes nga prurjet e përroit.

Ura është e pozicionuar në të hyrë të fshatit Bënjë, në lagjen e poshtme të tij, ku përroi kalon nëpër një grykë të ngushtë e derdhet në lumin e Lengaricës. Ura ka një harmonizim të bukur me ambjentin rrethues.

Ura ngrihet mbi një hark të vetëm me hapësirë drite 6.4 m, ku qemeri i harkut përfshirë dhe arkivoltën ka trashësi 70 cm .

Arkivolta shkel me dhëmbë 7 cm mbi harkun e poshtëm dhe në ngritjen e urës është patur parasysh ngushtica minimale e përroit si dhe fortësinë e brigjeve duke e ndërtuar në pjesën më të ngushtë dhe duke u mbështetur në brigjet shkëmbore të qëndrueshëm.

Në pjesën qëndrore të arkivoltës janë inkastruar katër kollona të vogla prej shtufi që sigurojnë një lidhje të mirë të muraturës së urës. Kollona të tilla formë brezash vertikalë vërehen dhe të tjera në muret bregore të urës./ata