Kur ka kaluar më shumë se 1 muaj nga përmbytjet që prekën qytetin e Vlorës, grupet e punës janë fazën përfundimtare të vlerësimit të dëmeve.
Sa i përket 352 familjeve të prekura, mbrojtja civile në bashkinë e qytetit ka dalë në përfundimin se vlera e dëmshpërblimit është 65 milionë lekë. Ndërsa për bizneset, ende nuk ka një tablo të qartë të vlerës së dëmeve.
“Që pas përmbytjes, grupet e vlerësimit kanë dalë në terren; jemi pothuajse në një fazë përfundimtare dhe kemi afërsisht një shifër konkrete të vlerës financiare të dëmeve të shkaktuara. Janë rreth 352 familje të dëmtuara; në një vlerësim paraprak, kostoja financiare është rreth 65 milionë lekë të reja. Ndërsa për pjesën e bizneseve, bizneset i kam një llogaritje që merret Drejtoria Rajonale e Tatimeve, dhe ata do të nxjerrin kostot e dëmeve në këto biznese”, thotë Ardian Vreshtazi, drejtori i Mbrojtjes Civile në Bashkinë Vlorë.
Por edhe pse në letër ka dalë vlera e dëmeve vetëm për familjet e prekura nga përmbytjet, sërish bashkia nuk ka fonde të mjaftueshme për të kryer procesin. Sipas drejtorit të mbrojtjes civile, bashkia ka kërkuar ndihmën e qeverisë.
“Bashkia Vlorë nuk ka mundësi financiare, pasi është një fond i kufizuar që kam rreth 4% të buxhetit, i cili ka qenë rreth 20 milionë lekë të reja; shifër kjo që s’mund të përballohet nga bashkia. Për këtë arsye është bërë kërkesë qeverisë qendrore në mënyrë që të bëjë një kompensim të vlerës financiare të dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet”, shprehet ai.
Përpos faktit se procedurat janë drejt fundit, qytetarët e dëmtuar nga përmbytjet nuk kanë ende një datë se kur do të mundtë përfitojnë dëmshpërblimin./EuroNews