Interesat e depozitave me afat në lekë kanë shënuar ulje në tremujorin e tretë të vitit. Në terma mesatarë, ato rezultuan 2.0%, nga 2.2% që ishin në tremujorin e dytë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, interesat janë ulur më shumë për depozitat me maturitet mbi një vit.

Kjo ulje e interesave, a e ka zbehur interesin e individëve për hapjen e një depozite të re?

Si rrjedhojë e interesave më të ulëta, depozitat në sektorin bankar kanë vijuar të rriten me një ritëm më të ngadaltë gjatë tremujorit të tretë. Rritja vjetore e depozitave në këtë periudhë ishte 10.3% nga 11.1% në tremujorin e dytë. Kjo ecuri u ndikua më së shumti nga ngadalësimi në 10.4% i normës së rritjes së depozitave në valutë, ndërkohë që ato në lekë u përmirësuan lehtas në 9.8%. Ecuria e depozitave në lekë vijon të pasqyrojë, ndër të tjera, edhe akumulimin e lartë të likuiditetit të qeverisë në llogarinë pranë Bankës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, interesat për depozitat me afat në euro kanë regjistruar një ulje margjinale, duke zbritur në 1.3% nga 1.4% që ishin në tremujorin e mëparshëm. Nga shifrat rezulton se diferenca midis interesave të depozitave në lekë dhe atyre në euro vijon të mbetet e qëndrueshme.

Në total, megjithëse më e ngadaltë se në tremujorin paraardhës, rritja e depozitave ishte e pranishme si në segmentin e depozitave me afat, ashtu dhe në atë të depozitave pa afat. Normat përkatëse të rritjes vjetore ishin respektivisht 9.4% dhe 11.3%. Në kategorinë e depozitave me afat vihen re norma të qëndrueshme rritjeje për depozitat deri në dy vjet dhe ngadalësim i normave rritëse të depozitave mbi dy vjet, ndonëse këto të fundit mbeten në nivele të larta rreth 17%, pasi janë më të preferuara nga individët. Pesha e depozitave mbi dy vjet ndaj totalit shënoi rritje të mëtejshme në 18.4%, ose 1 pikë përqindje më shumë se në fund të vitit 2023./Scan