Ngrohja e ambienteve të banimit përbën një komponent të rëndësishëm të konsumit energjetik për familjet shqiptare, veçanërisht gjatë periudhave të ftohta të vitit ku edhe kërkesat për energji janë të larta. Aktualisht, mbi 40% e energjisë së përdorur në shtëpi i dedikohet ngrohjes dhe ftohjes. Në këtë kontekst, zgjedhja e burimeve të ngrohjes dhe mënyra e menaxhimit të konsumit të energjisë kthehen në vendime kritike për familjet shqiptare.
Por çfarë është më e leverdishme, sistemi i gazit apo efiçenca e energjisë?
Për të llogaritur koston e sistemit të gazit do të bazohemi në të dhënat e publikuara për zbatimin e projektit të gazifikimit të qytetit të Korçës. Ky projekt do të kushtojë 20.8 mln euro dhe pjesa më e madhe prej 13.3 mln euro do të duhet të investohet nga banorët rezidentë. Sipas dokumentit, numri i konsumatorëve përfshin 6,074 njësi banimi, pra një familje do të kontribuojë për sistemin e gazifikimit afro 2,200 euro.
Po efiçenca e energjisë sa kushton?
Eficenca i referohet një sistemi që mundëson përdorimin sa më të ulët të energjisë, por pa qenë e nevojshme për ta reduktuar atë. Pra me pak fjalë, marrja e shërbimit të njëjtë, por me më pak kosto. Një ndërhyrje që mund të ndihmojë në përmirësimin e efikasitetit energjetik është termoizolimi i shtëpisë.
Por sa duhet të paguajmë për termoizolimin?
Kostoja totale e termoizolimit për muret e jashtme të një shtëpie është rreth 2,050 lekë/m². Ky çmim përmban të gjitha kostot e nevojshme, duke përfshirë lyerjen, astarët, gërryerjen dhe pastrimin e sipërfaqes ku do të montohet sistem. Po të marrim një apartament prej 100 m2, rezulton se kostoja e implementimit të termoizolimit do të jetë 205,000 lekë ose 2,088 euro.
Termoizolimi është një investim që bëhet për të reduktuar kostot mujore të energjisë. Po në terma faktikë sa do të ishte fatura e një familje shqiptare për ngrohjen para dhe pas termoizolimit ? Sipas studimit të “ ALL GREEN CENTER” rezulton se një familje në Shqipëri ngrohet deri në 5 muaj në vit me një kohëzgjatje mesatare që shkon nga 8 - 10 orë. Për një familje që përdor si burim ngrohjeje drurin, nëse nuk implementon një sistem termoizolimi, do të harxhojë rreth 83,250 lekë në vit për ngrohjen, ndërsa nëse përdor sistem termoizolimi, harxhimi vjetor maksimal do të jetë vetëm 54, 025 lekë duke kursyer kështu afro 30,000 lekë në vit. Ndërsa një familje që ngohet me energji elektrike shpenzon mesatarisht 77,616 lekë në vit nëse ambienti i banimit nuk është i termoizoluar dhe 49,950 lekë në vit nëse familja ka zgjedhur të përdorë termoizolimin. Kjo do të përkthehej në një kursim mujor prej 5,553 lekë ose 27,666 lekë më pak në vit./Scan