Vitet e fundit, Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në fushën e qeverisjes elektronike. Sipas të dhënave, janë të disponueshme mbi 1,000 shërbime online për qytetarët përmes platformës e-Albania, që përfaqëson më shumë se 90% të të gjitha shërbimeve publike në Shqipëri.
Investimet dhe përmirësimet tregojnë një angazhim të fortë të qeverisë shqiptare për të modernizuar shërbimet publike dhe për të lehtësuar aksesin e qytetarëve dhe bizneseve në to përmes teknologjisë. Duhet marrë në konsideratë këtu që sipas të dhënave të Eurostat, rreth 3 në 4 persona në vendin tonë kanë përdorur një nga aktivitetet e qeverisjes elektronike në vitin 2023. Ndërkohë, rezulton se kjo normë në Bashkimin Europian është 69%, ose 2 pikë më e ulët se në vendin tonë.
Por sa do të jetë buxheti për vitin 2025 që do të shkojë për e-qeverisjen?
Referuar të dhënave nga relacioni i projekbuxhetit për vitin e ardhshëm, për qeverisjen elektronike do të alokohen rreth 12.5 miliardë lekë ose 125 milionë euro.
Krahasuar me vitin e kaluar, buxheti për modernizimin dhe përmirësimin e qeverisjes online ka patur një rritje të konsiderueshme me rreth 36%. Nga 9.2 miliardë lekë që ishte në vitin 2024, shtesa këtë vit vlerësohet në 3.3 miliardë lekë.
Thksojmë se qeverisja elektronike përfshin aktivitete të tilla si ndërveprimi me autoritetet publike, marrjen e informacionit nga faqet e autoriteteve, shkarkimin e formularëve zyrtarë, aksesi në të dhëna ose regjistra, aksesi në informacionin personal, caktimi i një takimi ose rezervimi, dorëzimi i deklaratave tatimore, pretendimet ose ankesat apo edhe perfitimet nga sigurimet shoqërore./Scan