Operatori i Energjisë së Rinovueshme do të jetë kompania e gjshtë publike që do të operojë në sektorin elektroenergjetik. Përveç 3 kompanive që janë pjesë e OSHEE Group, Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit, qeveria ka miratuar vendimin që i hap rrugë krijimit të shoqërisë së re.

Operatori i Energjisë së Rinovueshme do të jetë blerësi i energjisë elektrike i të gjithë prodhuesve me përparësi, që janë me mbështetje në formën e një marrëveshjeje të blerjes së energjisë dhe do ta shpërndajë këtë energji direkt në tregun e organizuar. Aktualisht, ky funksion kryhet nga Furnizuesi i Tregut të Lirë, pjesë e e OSHEE Group.

Gjithashtu, kjo shoqëri do të menaxhojë fondin e mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili përllogaritet dhe përdoret për të mbuluar kostot e disa skemave mbështetëse.

Një prej tyre përfshin diferencat e pagueshme, ndërmjet çmimit të garantuar dhe çmimit të referencës për prodhuesit me përparësi, mbështetje e dhënë në formën e një kontrate për diferencë dhe pagesave të prim-it për prodhuesit me përparësi.

Një tjetrë skemë mbështetëse do të jenë edhe tarifat nxitëse për prodhuesit me përparësi, mbështetje e dhënë në formën e marrëveshjeve për blerjen energjisë që prodhuar, nga shteti.

Paralelisht, sipas vendimit të qeverisë do të jetë Operatori i Energjisë së Rinovueshme, që do të propozojë modelin e operimit për energjinë nga burimet e rinovueshme, që janë dielli, era dhe uji duke u bazuar në vlerësimin e në krahasimin me praktikat më të mira të Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, kjo shoqëri do të propozojë pranë ministrisë përgjegjëse për energjinë përditësimin sistematik të fondit të mbështetjes së burimeve të rinovueshme, i cili më pas miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave./Scan