Një investim prej 13.8 milionë euro nga KfW gjermane ka gjetur zbatim në Elbasan me qëllim përmirësimin e furnizimit me ujë në rajonin Nr. 3 dhe në qytetin e Elbasanit.

Gjatë një inspektimi të vijimit të punimeve, drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri, kryetari i bashkisë Gledian Llatja dhe deputeti i zonës Florenc Spaho, theksuan rëndësinë e këtij projekti për përmirësimin e cilësisë së ujit të pijshëm në qytet, i cili prek jo vetëm linjat kryesore, por edhe ato sekondare dhe terciale.

Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, bëri një përmbledhje të punimeve, duke theksuar se “ne po punojmë me tetë sektorë në qytet, në bashkëpunim me Ujësjellësin, duke marrë të gjitha masat që të mos kemi probleme me qarkullimin e mjeteve aty ku po ndërhyhet”.

“Janë shumë rrugë në të cilat po ndërhyhet në qendër të Elbasanit, për të siguruar ujë 24 orë për qytetarët. Ky projekt, që po ecën me ritme të mira, është mbështetur nga KfW-ja gjermane dhe qeveria shqiptare. Ne po sigurohemi që të gjitha punimet të përfundojnë sa më shpejt dhe me standardet më të mira”, tha Llatja.

Investimi prek jo vetëm linjat kryesore, por edhe ato sekondare dhe terciale. Ai po kryhet në të gjithë qytetin me qëllim që i gjithë Elbasani të ndjejë ndikimin e tij, me rajonin Nr. 3 që përfiton më shumë nga ky investim.

Projektet parashikojnë shtrimin e 2.6 km tubacione kryesore dhe 42.5 km tubacione shpërndarjeje, nga të cilat do të përfitojnë 50 mijë banorë të qytetit.

Kryebashkiaku Llatja shtoi se “kemi filluar një projekt të cilin e kishim premtuar se do të ecte shpejt. Me investimin e ri, që përfshin standardet më të mira europiane, jemi të sigurt që përveç presionit të mirë për të gjithë banorët, do të kemi edhe prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe një sistem të plotë ndërlidhjeje nga tubacioni kryesor te konsumatori fundor. Projekti po ndërhyhet në të gjitha lagjet kryesore të qytetit dhe synon të sigurojë ujë 24 orë për të gjithë qytetarët e Elbasanit.”

Në këtë kuadër, kryebashkiaku Llatja kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për trafikun disi të rënduar për shkak të punimeve kudo në qytet.

Në bashkëpunim me AKUM, Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve, bashkia e Elbasanit ka edhe një tjetër projekt me ndihmën e qeverisë shqiptare, por edhe nga donatorë të huaj, për të siguruar ujë 24 orë për të gjithë qytetin.

Drejtuesi politik i qarkut Damian Gjiknuri  tha se “projektet do të vazhdojnë, pasi Elbasani është në qendër të vëmendjes së qeverisë shqiptare dhe një nga këto infrastruktura kaq të rëndësishme si uji i pijshëm dhe ujërat e zeza do të jenë në vëmendje të financimeve të vazhdueshme të qeverisë”.

“Ky projekt është vetëm fillimi dhe financimi nga qeveria shqiptare është siguruar për projekte të tjera në të ardhmen. Ne qëndrojmë pranë qytetarëve në këtë fazë tranzitore, duke u siguruar që përfitimet afatgjata do të jenë të ndjeshme për të gjithë”, u shpreh Gjiknuri.

Projekti është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të siguruar infrastrukturë moderne dhe furnizim të vazhdueshëm me ujë për qytetarët, duke përfshirë edhe një tjetër projekt, që do të zbatohet në Elbasan në të ardhmen./ata