Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka folur në seancë plenare pas kërkesës për interpelancë nga deputeti i opozitës, Agron Shehaj.
Ministrja Koçiu, bëri një pasqyrë nga shtimi i barnave të reja në listën e barnave të rimbursueshme te pajisjet e reja të teknologjisë së fundit në spitalet në të gjithë vendin.
“Sa i përket rastit të Onkologjikut, klithni duke ju referuar të dhënave të prokurorisë. Ato janë duke hetuar dosjen e rëndësishme për sensitivitetin e madh që ka, por që të mos preket edhe besimi te mjekët dhe shëndetësia në vend. Ju garantoj se medikamentet e aprovuara apo të buxhetuara kanë mbërritur te qytetarët, lista e barnave të rimbursueshme është më e pasuruar se kurrë më parë. Trajtimi i sëmundjeve tumorale, është një sfidë komplekse për çdo sistem shëndetësor, ndaj flasim për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e tyre. Politikat shëndetësore duhet të lehtësojnë barrën e sëmundjeve për çdo familjar dhe të sëmurë”, u shpreh ministrja.
Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja Koçiu shtoi se në nëntë muaj e parë të vitit, më shumë se 12 mijë pacientë kanë marrë ilaçet e rimbursuara nga shteti.
“Zgjerimi i barnave të rimbursueshme është një investim i rëndësishëm që pacientët të kenë trajtime më të mira dhe më të përballueshme. Barna inovatore në sistemin tonë publik të kancerit të gjirit dhe sëmundjeve malinje të gjakut dhe fëmijëve me patologji të tilla në spitalin Pediatrik.
Marrëveshja kuadër për furnizim me barna deri në 2026, ka bërë që të përfshihen 23 barna të reja, ku tetë prej tyre janë të reja për trajtimin e disa lloje të kancerave. Marrëveshjet kuadër 2024-2026 garantojnë që të gjithë qytetarët do të kenë barnat e nevojshme sipas protokolleve shëndetësore. 36% më i lartë buxheti për trajtimin e kancerit në krahasim me vitin 2022. Investimet në kirurgji, ndryshimet janë thelbësore, edhe shërbimi është më i suksesshëm duke mbështetur mbijetesën e të sëmurëve me kancer. Në spitalet rajonale, ka mjekë onkologë pranë vendbanimit, njësi kemioterapie në tetë spitale rajonale, për të shmangur ato udhëtimet e gjata dhe të largëta të qytetarëve. Krijimi i bordeve të tumoreve nga një ekip multidisiplinar është një tjetër risi në sistemin shëndetësor. Pra, nuk është më një mjek i vetëm, por një bord që do të funksionojë pranë QSUT për vendimmarrje më të plota dhe të koordinuara për pacientët me kancer. Bashkëpunimet ndërkombëtare, janë tjetër element. Në fillim të këtij muajit QSUT u binjakëzua me një nga qendrat më të mëdha spitalore në Izrael”, theksoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Koçiu preku edhe pretendimet e ngritura nga KLSH-ja për disa çështje.
“Kemi bërë analiza të brendshme duke pasur në vëmendje të gjithë aktorët përgjegjës për të cilët duhet të merren masat përkatëse. Barnat shiten nëpër farmaci? Ministria e Shëndetësisë është e gatshme dhe në dispozicion të organeve të drejtësisë, por sigurisht që indikacionet nuk janë prova, por ne i vlerësojmë me kujdes maksimal. Tregtimi i barnave në Shqipëri janë objekt ndjekje nga krimi ekonomik dhe Policia e Shtetit. Kemi rritur inspektimet dhe kontrollet mbi subjektet farmaceutike, ndërsa nga janari deri nëntor janë kryer 500 inspektime në subjektet farmaceutike dhe janë zbatuar masat administrative ku ka pasur shkelje. Kemi përgjegjësinë që të bëjmë hetimet tona, të marrim masat ndëshkuese sipas legjislacionit dhe të mbështesim veprimtarinë e organeve hetimore”, tha Koçiu./ata