Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu mori pjesë në aktivitetin e organizuar në kuadër të hapjes së sezonit turistik bashkë me 300 mjekët dhe infermierët të cilët do të jenë pranë 34 Qendrave Shëndetësore Verore në të gjithë vendin.
Në fjalën e saj Koçiu, theksoi angazhimin e qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të siguruar një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë, pasi janë ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar mirëqenien e qytetarëve dhe turistëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë këtij sezoni veror.
“34 qendra shëndetësore sezonale hapur gati në funksionim; Urgjenca Kombëtare gati në shërbim; OSHKSH me gjithë procesin sfidues të rekrutimit është gati; ISHSH me gjithë masat higjieno-sanitare ka qenë në krye të detyrës; ISHP me procesin sfidues të dezinsektimit ku shtuam mbi 20 hektarë këtë vit, dhe ku ishim, nga veriu në jug, në të gjitha zonat e nxehta dhe problematike, është gati.”
Ministrja Koçiu theksoi se “nuk janë vetem qendrat sezonale që i përgjigjen gjithë fluksit të turistëve dhe pushuesve, por kemi edhe qendrat shëndetësore, spitalet rajonale që gjithashtu janë në suport dhe mbështetëse në momentin që ka një urgjencë apo nevojë për një shërbim më të specializuar, gjithë strukturat janë në funksion të plotë”.
Turizmi është një sektor me një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë të gjitha masat që të mbështesë një sezon turistik, që sipas të gjithë treguesve, pas 10 milionë turistëve të një viti më parë, do të shënojë një rekord të ri në 2024-ën./ata