Një 34-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet e Kosovës është prangosur në qytetin e Elbasanit.
Ai u arrestua në fshatin Papër me qëllim ekstradimin drejt Kosovës.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga strukturat e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe i shkëmbimit të këtyre informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, u bë e mundur kapja në fshatin Papër dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Kosovës, i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
E. E., 34 vjeç, banues në Elbasan.
Gjykata Themelore e Pejës, me vendimin e datës 30.10.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe “Blerja, posedimi dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare, për ekstradimin e 34-vjeçarit”, thuhet në njoftim./VizionPlus