Biznesmeni Pando Papuçi, i shpallur në kërkim nga policia për ndërtimin e paligjshëm një pallati 7 katësh në hyrje të qytetit të Sarandës kërkoi lirinë nga arratia. Por Gjykata e Sarandës ka hedhur poshtë kërkesën e tij për revokimin e masës “Arrest në burg”, raporton korrespondentja e Panorama.

Masa e sigurisë ndaj biznesmenit 67-vjeçari është dhënë në mungesë më 21 shkurt të vitit 2022.

 

Pando Papuçi u shpall në kërkim pas operacionit “Heshtja” të Prokurorisë dhe Policisë së Sarandës, ku ra në pranga ish-Drejtoresha e IMT, Romina Pulaj, në Bashkinë Sarandë për shpërdorim detyre

 

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, pas një pune hetimore 3-mujore, kanë bërë të mundur dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e ndërtimeve në qytetin e Sarandës dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar ‘Heshtja’, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestuan në flagrancë shtetasja Romina Pulaj, 31 vjeçe, me detyrë kryeinspektore e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Sarandë. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi P. P., 66 vjeç, pasi ka ndërtuar në mënyrë të paligjshme një pallat 7- katësh (në ndërtim e sipër), në lagjen nr.1, në qytetin e Sarandës”, sqaroi në atë kohë.