Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, në një letër drejtuar kryetarit të parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas, uroi Festën e Pavarësisë së Greqisë.

 

“Pas Pavarësisë, Greqia u zhvillua si një shtet demokratik e modern, sot anëtar i Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Mes Shqipërisë dhe Greqisë vijojnë lidhjet e forta historike e njerëzore, fqinjësia e mirë, partneriteti e marrëdhëniet e shkëlqyera politike, investimet dhe bashkëpunimi i gjerë e intensiv ekonomik, tregtar, arsimor e kulturor; bashkëpunimi në forumet e organizatat ndërkombëtare dhe nismat rajonale, për mbrojtjen e sigurisë e të paqes”, shkruan Nikolla.

 

Greqia, vijoi ajo, “ka mirënjohjen tonë për mbështetjen e vendosur të integrimit evropian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor; integrimin e emigrantëve shqiptarë në ekonominë, sistemin e mirëqenies dhe shoqërinë greke; nxitjen e kontributit të tyre dhe të minoritetit grek në Shqipëri si ura miqësie mes dy vendeve”.

 

Nikolla shprehu besimin se, Kuvendi i Shqipërisë dhe Parlamenti i Greqisë do të vijojnë të nxisin e mbështesin fuqimisht bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve dhe mes njerëzve tanë.