Në prill 2019, Charles McGonigal blen një paketë aksionesh në një kompani shqiptare të quajtur: LAWOFFICE & INVESTIGATION. Sipas dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Biznesit, ai pagoi 2 milionë lekë kapital themeltar dhe mori 25% të aksioneve.
Bashkëaksionerët e tjerë të kompanisë: Mark Thomas Rossini, një ish-punonjës i FBI-së, Shefqet Dizdari dhe Agron Neza. Ky i fundit raportohet gjerësisht se është personi që aktakuza e Uashingtonit i referohet si Personi A.
Shefqet Dizdari njihet mes të tjerash si përfaqësues i një kompanie nafte të lidhur me Gazprom. Aksioneri tjetër, Mark Thomas Rossini, nuk është gjithashtu i panjohur. Ai shfaqet në një intervistë në Top Channel në prill 2019 duke komentuar mbi interesat e Rusisë në Shqipëri.
Sa i përket vizitave të tij në Shqipëri, Rossini është shprehur përmes disa postimeve e komenteve në rrjetet sociale se ia ka kaluar “gjithmonë mirë” dhe se sa e “ka dashuruar” vendin.
Në disa komente të tjera ai tregon pëlqimin që ka për ushqimin në vend dhe verën të cilat i cilëson si “më të mirat”.