Frymëmarrja e Saharasë e bën jetën të lulëzojë në oqeanin Atlantik, pasi rëra e transportuar nga era në drejtim të perëndimit përmban një mikronutrient thelbësor, hekurin, i cili në distanca të gjata bëhet gradualisht më i disponueshëm falë reaksioneve kimike që ndodhin në atmosferë.

Këtë e demonstron një studim i publikuar në ”Frontiers in Marine Science” nga një ekip ndërkombëtar i udhëhequr nga universitetet e Kalifornisë dhe Florida.

“Hekuri i lidhur me pluhurin e Saharasë i transportuar drejt perëndimit mbi Atlantik ka veti që ndryshojnë me distancën e përshkuar: sa më larg të jetë distanca, aq më bioreaktiv është hekuri”, shpjegon Jeremy Owens nga Universiteti Shtetëror i Floridës.

Ky raport sugjeron që proceset kimike në atmosferë e shndërrojnë hekurin me bioreaktivitet të dobët në forma më të arritshme.

Studiuesit e zbuluan këtë duke matur sasitë e hekurit total dhe hekurit bioreaktiv në katër mostra sedimentesh të marra nga shtrati i detit Atlantik nga Programi Ndërkombëtar i Zbulimit të Oqeanit: dy mostra, më të afërt me të ashtuquajturin ”korridori i pluhurit Sahara-Sahel”, janë mbledhur respektivisht 200 dhe 500 kilometra në perëndim të Mauritanisë veriperëndimore; mostra e tretë është marrë në Atlantikun qendror; më në fund kampioni i katërt u mor rreth 500 kilometra nga bregu lindor i Floridës.

Bërthamat e sedimentit u ekzaminuan në pjesën që varion nga 60 deri në 200 metra thellësi, për të rindërtuar depozitat që janë grumbulluar gjatë 120 000 viteve të fundit.

Studimi i izotopeve konfirmon se hekuri vjen nga Sahara.

Për më tepër, analizat kimike tregojnë se në bërthamat e marra më larg nga shkretëtira ka një pjesë më të vogël të hekurit të disponueshëm biologjik, ndoshta sepse ky element është përdorur nga organizmat e pranishëm në kolonën e ujit para se të vendosej në shtratin e detit.

”Si përfundim”, specifikon Timothy Lyons nga Universiteti i Kalifornisë, “pluhuri që arrin në rajone të tilla si pellgu i Amazonës dhe Bahamas mund të përmbajë hekur që është veçanërisht i tretshëm dhe i disponueshëm për jetën, falë distancës së madhe nga Afrika e Veriut”./ata