Nga Shtëpia e Operas në Sidney, Kulla Eiffel në Paris, e Empire State Building në Shtetet e Bashkuara: Monumentet kryesore në botë i fikën dritat për 60 minuta, për të shënuar atë që njihet si Ora e Tokës.
Miliona njerëz në më shumë se 7 mijë qytete në 190 vende, u zhytën në errësirë mbrëmjen e së shtunës, për të treguar solidaritet dhe përkushtim në shpëtimin e planetit nga ndryshimet klimatike.
Në Sidney, ku u prezantua për herë të parë iniciativa në vitin 2007, në 20:30 të orës lokale të gjitha dritat jo të domosdoshme u shuan për një orë.
Koloseu antik në Romë, u bë pjesë e fushatës globale e po ashtu monumentet turistike në Bangkok të Tajlandës qëndruan për një orë në errësirë për të inkurajuar qytetarët të kursejnë energji dhe për ndërgjegjësuar kundër emetimeve të dioksidit të karbonit.
Edhe Akropoli i famshëm e humbi për pak shkëlqimin e tij për Orën e Tokës ashtu si godina e parlamentit dhe godina të tjera rreth kryeqytetit grek. Fushata organizohet nga grupi “World Wide Fund for Nature”, dhe që prej 2007 është shndërruar në një lëvizje globale që zhvillohet në 188 vende dhe territore.