Një burrë goditi me thikë për vdekje të paktën katër fëmijë në një kopsht fëmijësh në Brazilin jugor, thanë zyrtarët lokalë.

 

 

 

Sulmuesi 25-vjeçar, i cili iu dorëzua autoriteteve pas sulmit, la të plagosur edhe disa fëmijë në incidentin tragjik në qytetin Blumenau, shteti jugor i Santa Catarina.

 

Viktimat ishin tre djem dhe një vajzë të moshës katër deri në shtatë vjeç.

 

Sipas policisë, sulmuesi ka hyrë në kopshtin e fëmijëve duke u hedhur mbi një mur dhe pasi ka sulmuar fëmijët, ka shkuar me motor në komisariatin lokal për t’u dorëzuar.

 

“Kam ardhur të raportoj se kam kryer një krim,” tha 25-vjeçari, sipas policisë të cituar nga një kanal lajmesh Santa Catarina.

 

Rasti ka tronditur Brazilin, ku presidenti Luiz Inacio Lula da Silva e përshkroi atë si një “monstruozitet” dhe shprehu solidaritetin me familjet e viktimave.

 

“Nuk ka dhimbje më të madhe se kur një familje humbet një fëmijë apo nip, aq më tepër në një akt kundër fëmijëve të pafajshëm dhe të pambrojtur”, tha ai.

 

Guvernatori i Santa Catarina-s, Jorginho Mello shpalli tre ditë zie në mbarë vendin dhe i bëri thirrje shoqërisë të reflektojë mbi atë që ndodhi dhe si të “kontribuojë në rritjen e sigurisë”.

 

Sulmi erdhi disa ditë pasi një adoleshent goditi për vdekje me thikë një mësues dhe plagosi katër të tjerë në fund të marsit në një shkollë publike në Sao Paulo, qyteti më i madh në Brazil.