Kryeministri Edi Rama ka pritur sot në një takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, Kryeministri Rama thekson se në fokus të takimit ishte marrëveshjen e Ohrit dhe ecuria e mëtejshme e procesit të zbatimit të saj.
Ai vlerësoi kontributin e kryeministrit Kurti për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe inkurajoi zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.
“Me mikun e posaçëm, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, gjatë drekës së sotme ku diskutuam me detaje për marrëveshjen e Ohrit dhe ecurinë e mëtejshme të procesit të zbatimit të saj. I shpreha Albinit të gjithë simpatinë time për kurajon dhe realizmin me të cilin ka hedhur hapa me rëndësi të madhe drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. E inkurajova kryeministrin në hedhjen e hapave të mëtejshëm, qoftë për garantimin e komunave serbe në kornizën e asociacionit që garanton vetëmenaxhimin e komunitetit serb, qoftë për funksionimin me garancitë e nevojshme të Kishës Serbe në vendet e saj të kultit në Kosovë, duke e siguruar se në këtë proces jo të lehtë ai ka mbështetjen time më të plotë”, shkruan Rama.
Rama njoftoi se në qershor do të zhvillohet mbledhja e dy qeverive, Kosovë-Shqipëri.
“Ramë dakord që mbledhja e ardhshme e të dy qeverive të mbahet në qershor”, shkruan Rama.