Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi dolën pasditen e të dielës në konferencën zyrtare për media, në prag të ndeshjes që Shqipëria do të zhvillojë sot ndaj Polonisë, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”, që është planifikuar të nisë në ora 20:45 e që do të zhvillohet në stadiumin “PGE Narodowy” në Varshavë.

 

Trajneri Silvinjo u shpreh se, e njeh kundërshtarin, e vlerëson forcën e tij, por theksoi se, skuadra e tij është gati dhe do të zbresë në fushën e lojës me përqendrimin e duhur, shpirtin e duhur dhe grintën e duhur për të marrë rezultatin pozitiv duke ditur objektivin që kuqezinjtë kanë.

 

“Jemi gati për ndeshjen me Poloni. Pas dy muajsh e gjysmë punë, për të njohur të gjithë lojtarët shqiptarë, flasim praktikisht për 70 lojtarë të monitoruar nga stafi, kemi parë 240 ndeshje dhe zgjodhëm 23 për këtë ndeshje të parë kualifikuese. E dimë që është ndeshje e vështirë, por do të luhet, janë 90 minuta për t’u luajtur. Janë të fortë, por jemi të lumtur me punën me të gjithë dhe atmosferën që kemi filluar të krijojmë me ta. Kemi një shans gjithmonë por të gjithë së bashkë është më e lehtë”, tha ai.

 

“E kemi vendosur ekipin. Siç e thashë jemi gati të gjithë, jo vetëm 11, por jemi gati të 23 lojtarët që janë me ne. Ajo që duam është punë grupi, atmosferë dhe ambient i mirë dhe Cikalleshi është një prej tyre, i rëndësishëm, i fortë si të tjerët. E kemi formacionin titullar që do ta shikoni nesër. E rëndësishme për mua, pasi i njoha të gjithë, i stërvita, ishte të përçoja idenë e futbollit që kemi ne që mund të përforcojë të gjithë këta lojtarë. Pastaj të shkojmë në fushë mirë. Kjo është ajo që duam. Është një ndeshje e fortë, por jemi në gjendje ta përballojmë. Gjëja më e bukur që kam mësuar në karrierë janë 90 minutat, aty luhet. Duhet të ecim përpara, protagonistët janë lojtarët. Santos është shumë i fortë, e di që ai na ka vëzhguar por dhe ne i kemi parë. Punojmë shumë për një ndeshje. Jam i bindur që nesër do të jetë një ndeshje shumë e bukur dhe në fushë do të jenë më të mirët. Ajo që ndodhi me Poloninë është normale, vjen në këtë grup si favorite por unë nuk nxjerr konkluzione pas asaj që ndodhi me Çekinë. Ne duhet të zbresim në fushën e lojës të përqendrruar, të luajmë fort dhe të realizojmë mirë detyrat tona për të cilat kemi punuar këtë javë”, u shpreh Silvinjo, që më pas u ndal edhe te atmosfera në skuadër. “Atmosfera është mjaft e mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme në futboll. Kam punuar 6 ditë dhe jam shumë i kënaqur me angazhimin e futbollistëve. Futbolli është shumë i bukur, por unë nuk kam frikë. Polonia është shumë e fortë dhe vjen si favorite kryesore. Është shumë e rëndësishme që të shkojmë në fushën e lojës dhe të tregojmë diçka ndryshe. Përveç anës tekniko-taktike, duhet të nxjerrim në pah edhe shpirtin kuqezi, pasi edhe një pikë është shumë e rëndësishme në rrugëtimin tonë”, u shpreh Silvinjo.

 

Sa i përket dëmtimeve, Silvinjo tha se, “nuk kemi asnjë problem, jemi të gjithë gati. Të 23 futbollistët janë gati të zbresin në fushë. Edhe Abrashi që dy ditë më parë shfaqi një gjendje gripale është gati. Kemi lojtarë shumë të fortë si Cikalleshi e Seferi, të cilët më kanë pëlqyer shumë. Kemi Mehmetin, Bajramin, Uzunin dhe të tjerë, që janë gati të “hanë barin në fushë” për të arritur objektivin tonë”.

 

Edhe sulmuesi Cikalleshi foli për këtë ndeshje të rëndësishme ndaj Polonisë, ku theksoi se, kjo sfidë është shumë e rëndësishme.

 

Cikalleshi theksoi se, “pavarësisht se polakët kanë një ekip shumë të fortë, Kombëtarja shqiptare do të luajë si një skuadër kompakte dhe e përqëndruar për të arritur një rezultat pozitiv”.

 

Ndër të tjera, sulmuesi kuqezi u shpreh se, objektivi kryesor është fitorja, ndërsa foli edhe për skemën e re me trajnerin Silvinjo, analizën e ekipit polak, mungesat në skuadrën shqiptare si edhe nënvizoi se stadiumi i mbushur me tifozë polakë është kënaqësi për ta.

 

“Sigurisht që Polonia është një ekip shumë i fortë dhe ne e dimë këtë. Para tre ditësh humbi kundër Çekisë, duke pësuar dy gola. Megjithatë është një ekip i fortë por ne jemi fokusuar te puna jonë, tek ekipi ynë. Edhe me trajnerin jemi munduar që të krijojmë një ekip kompakt dhe të kemi shpirtin e garës që mund të na çojë në arritjen e rezultateve”, tha Cikalleshi.

 

“Polonia vjen pas një performance të mirë në Botëror. Në ndeshjen e fundit, duke pësuar dy gola të shpejtë, të bën ta humbësh pak balancën në fushën e lojës. Por sërish e morën veten. E dimë që është një ekip me lojtarë individualistë shumë të mirë dhe që luajnë nëpër ligat më të forta të Europës. Ne nuk duam të futemi në fushë me mendjen se përballë kemi një ekip të dobët. Përkundrazi, kemi një ekip të fortë, ku duhet të përqendrohemi maksimalisht dhe të bëjmë një ndeshje kompakt të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë një rezultat pozitiv”, u shpreh ai.