Një ndërhyrje e shkallës së lartë të vështirësisë, ndërhyrje që kryhen në klinikat më të mira evropiane, u realizua me sukses nga ekipi i Kirurgjisë Torakale në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
“Pas ekzaminimeve të thelluara, ku u diagnostikua me Germ Cell-Tumor Seminomatoz i stadit të IV, që është një tumor i rrallë dhe konsultave me mjekë pneumologë, kirurgë torakalë, imazheristë dhe mjekë onkologë, pacienti Alfred Lika, 47-vjeçar iu nënshtrua interventit me anë të një torakotomie për heqjen totale të tumorit”, u shpreh në një postim në rrjetet sociale ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Manastirliu uroi mjekët Prof. Asc. Fatmir Çaushi, Dr. Ilir Skenduli, Dr. Eljana Shima, Dr. Alban Hatibi dhe infermieret Manushaqe Osma, Valbona Bulku, Mirjeta Almeta për realizimin e kësaj ndërhyrje.
Prof. Asc. Fatmir Çaushi tha se, “pacienti u shtrua në spitalin tonë me një vështirësi në frymëmarrje të theksuar, pasi u kompletua me ekzaminimet e nevojshme u diagnostikua me një masë tumorale”.
“Pasi konsultës stafi mjekësor vendosi për të realizuar një radikalitet kirurgjial. Tani gjendja e pacientit është normale”, theksoi Çaushi.
Në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” po kryhen një sërë ndërhyrjesh delikate tek pacientët./ATSH