Detaje të reja kanë dalë në lidhje me ngjarjen e rëndë, të ndodhur pak pas mesnate në Tiranë, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel dhe për pasojë humbi jetën roja i sigurisë, Pal Kola.
Mësohet se 60-vjeçari po ngrohej brenda kabinës në momentin kur e ka kapur breshëria e plumbave
Po ashtu raportohet se autorët kanë lëvizur me një automjet tip Range Rover, i cili rezulton i vjedhur në Shkodër. Sipas abc news dyshoher se kanë qenë tre persona në makinë.
Pasi qëlluan me breshëri drejt godinës, ata janë larguar në drejtim të Golemit përmes autostradës e ku më pas dogjën edhe automjetin që përdorën, me targa të vjedhura.
Policia në brendësi të automjetit gjeti dy kallashnikovë, të cilët dyshohet se janë përdorur në ngjarje.
Plumbat janë derdhur në katin e parë dhe dytë të godinës si edhe në kabinën ku ndodhej roja, i cili mori një plumb dhe ndërroi jetë pak minuta pas ngjarjes së rëndë.