Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se, paga minimale do të vijojë të rritet edhe përgjatë 2 viteve në vijim, për të shkuar në 45 mijë lekë në vitin 2025, nga 26 mijë lekë që ishte në vitin 2013.

 

“Nga data 1 prill paga minimale do të rritet për të shkuar në 40 mijë lekë. Sfida jonë është të rrisim pagën mesatare. Shqipëria duhet të kalojë në një tjetër standard. Nëse në vitin 2000 ishim një treg tërheqës, pasi kishim fuqi punëtore që paguhej pak, ne sot duhet të bëhemi konkurrues për fuqi punëtore të kualifikuar. Dhe e dime që kualifikimi ka fuqi, pasi në rast se këta punonjës largohen nga kompania ku kanë punuar për vite me radhë, marrin me vete një barrë eksperiencë, ndaj duhen motivuar përmes pagës, por edhe kushteve dinjitoze të trajtimit dhe përmirësimin e infrastrukturës”, deklaroi ministrja.

 

Ajo vuri në dukje se, edhe vet biznesi e ka kuptuar që punonjësit duhen vlerësuar dhe paguar. Sipas saj, ka shumë kompani që e kanë kaluar nivelin e vendosur nga qeveria prej 40 mijë lekësh, për pagën minimale.

 

“Kjo kompani ka nisur misionin e saj me këta 300 punonjës. Ky biznes pa ata punonjës nuk ecën përpara sado i mirë të jetë pronari, menaxheri apo të këtë infrastrukturën e zhvilluar”, u shpreh Ibrahimaj.

 

Në industrinë e manifakturës numërohen 8 500 kompani në fund të vitit 2022. Numri total i të punësuarve llogaritet 88 452, ose 12.7 % e totalit të të punësuarve në vend.

 

Paga mesatare në fund të vitit 2022, në këtë industri ishte 48 806 lekë, ndërsa numri i punonjësve me pagë minimale është 26 973 lekë ose 27% e totalit të të punësuarve në këtë industri.