Teksa ka ndarë mëngjesin e sotëm një video-mesazh në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka folur për disa nga politikat që pritet të ndërmarrë qeveria e tij.

 

“Kam komunikuar sidomos me financat, për disa politika të reja mbështetëse. Duke nisur nga paga minimale, pagat për disa kategori të veçanta të burimeve njerëzore, mbështetja e me strehim e mjekëve, ushtarakëve, policëve që kanë familje të re”, u shpreh ai.

 

Kryeministri u shpreh se në pranverë do të ketë një tjetër ndihmë financiare për pensionistët, ndërsa theksoi se qeveria e tij është e shumicës, jo e disave.

 

“Natyrisht paga tjetër për pensionistët e domosdoshme në pranverë nga rindarja e taksës së jashtëzakonshme mbi eksportuesit e mëdhenj të energjisë. Na vjen mirë që pakoja e madhe ka lehtësuar ndjeshëm 1 milionë përfituesit e saj dhe vihet re edhe në rritje të kënaqshme të konsumit. Pa diskutim që duhet akoma, sidomos me ata që punojnë me pagë minimale në sektorin privat sidomos ata në prodhim që duhet të paguhen më shumë dhe sa më parë. Së shpejti do t’i diskutojmë dhe vendosim në qeveri e patjetër t’i bëjmë me dije këto politika që e thellojnë më tej profilin e kësaj qeverie të shumicës, jo e disave”, tha Rama.