Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka deklaruar së fundmi se Serbia duhet të jetë serioze për normalizimin e marrëdhënieve.
Gërvalla ka theksuar për median portugeze “Diaro de Nolicias” se, normalizimi i raporteve do të thotë sjellje normale, respekt të fqinjësisë dhe moskërcënim ndaj fqinjit me luftë dhe pasoja të tjera.
“Është kaq e vështirë me Serbinë, ata ulen në tryezën e bisedimeve dhe premtojnë dhe pastaj vjen një Serbi krejtësisht tjetër kur bëhet fjalë për zbatimin e premtimeve. Kësaj radhe Serbia as që nënshkroi, kështu që nuk jam optimist për të pritur ndryshime në javët apo muajt e ardhshëm”, ka thënë Gërvalla.
Ajo është shprehur se, Serbia nuk ka qenë e gatshme për marrëveshje as më 27 shkurt në Bruksel, as më 18 prill në Ohër.
“Serbia vazhdon lojën e vjetër të transmetimit të mesazheve dhe kur afrohet koha për nënshkrim, refuzon. Është për të ardhur keq që BE-ja po e mundëson këtë situatë dhe nuk po i zgjidh sfidat e dialogut që po ndërmjetëson.”, ka thënë ajo.
Ndër të tjera, Gërvalla është shprehur se, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejta pakicave, duke cekur minoritetin serb.
Ndërkaq, për javën e kulturës kosovare në Portugali, ministrja Gërvalla është shprehur se njerëzit duhet të dinë më shumë për kulturën, “artin tonë, sepse kultura dhe arti janë dritarja e shpirtit tonë”. /KosovaPress/