Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku firmosi javën e kaluar një vendim ku thuhej se Presidentit të Republikës Bajram Begaj do t’i jepej një shumë prej 600 mijë lekë të reja për të mbuluar shpenzimet shëndetësore.

 

Në vendim nuk bëhet me dije problemi shëndetësor i Presidentit Begaj, por gjatë dy javëve të fundit është vënë re nga dalja e tij në publik dora e djathtë e fashuar.

 

Ndërkohë po në të njëjtën ditë, zv.kryeministrja Balluku në bazë të vendimit të marrë i ka akorduar një shumë prej 1.2 milionë lekësh edhe ish-kryetarit të KQZ-së, aktualisht këshilltar i Presidentit, Klement Zguri, sërish për të njëjtën arsye, pra për mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit.

 

VENDIM

 

Nr. 175, datë 24.3.2023

PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. BAJRAM BEGAJ

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, dhe në vijim të vendimit nr. 23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2023”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

VENDOSI:

Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Bajram Begaj, në masën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekë.

Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.

Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të

 

Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

ZËVENDËSKRYEMINISTËR

 

Belinda Balluku

 

VENDIM

 

Nr. 176, datë 24.3.2023

 

PËR MBULIMIN E PJESSHËM TË SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. KLEMENT ZGURI

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 84/2022, “Për buxhetin e vitit 2023”, dhe në vijim të vendimit nr. 23, datë 18.1.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2023”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

 

VENDOSI:

Mbulimin e pjesshëm të shpenzimeve të mjekimit të z. Klement Zguri, në masën 1 200 000 (një milion e dyqind mijë) lekë.

Ky fond të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Pagesa të bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.

Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

ZËVENDËSKRYEMINISTËR

 

Belinda Balluku