Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria nuk mund të shkoj më tutje duke menduar se ka krah pune të lirë, pasi nuk e vendos kjo zhvillimin, por godet palcën e ekonomisë, që është forca e punës dhe ul kapacitetet për punë.

 

Kryeministri Edi Rama ishte sot në kompaninë Fital Sh.p.k në Kamzë, pjesë e industrisë së manifakturës, me rreth 1000 të punësuar, ku foli për pagën e re minimale dhe përmirësimin tërësor të strukturës së pagave në vend.

 

Rama tha se, pagat lidhen direkt me produktivitetin dhe çdo rritje pagash përtej këtij raporti faktikisht çon në falimentim dhe e njëjta gjë ndodh edhe në sektorin publik.

 

“Këtu u fol për 300 punonjëse që kanë themeluar së bashku me sipërmarrësin këtë biznes. Ndërkohë vitet kalojnë dhe nevojat rriten, por edhe pretendimet e atyre që vijnë më pas rriten. Kjo industri u bë mbi 30 vjet që është themeluar, por procesi i zëvendësimit të forcave të punës bëhet gjithmonë e më i vështirë në rast se, sipërmarrja nuk do të kuptojë se me këto paga nuk shkon larg”, tha Rama.

 

Rama tha se, sipërmarrësit po shohin se, nëse nuk kanë me vete forcat e punës dhe ata të cilët realizojnë prodhimin apo shërbimet për të cilat investojnë, të gjitha bëhen zero.

 

“Kompanitë po shohin që burimet njerëzore, forcat e punës po fillojnë të mungojnë. E kemi dëgjuar prej kohësh ‘kemi vende pune, por nuk kemi specialistë’. Sot ka shkuar më tutje, ‘nuk kemi më as krah të thjesht pune’. Kjo kërkon reagim dhe përgjigje të shpejtë duke filluar nga pagat”, tha Rama.

 

Kryeministri theksoi se, nuk është e vërtetë teoria se nëse rritet paga minimale do të falimentojë industria.

 

“Duhet të mbarojë filli i logjikës së shfrytëzimit deri në skaj të krahut të punës. Kjo që po bëjmë dhe do ta shoqërojmë me masa të tjera, është një vendosje në krahun e punonjësve për të luftuar bashkë me sipërmarrësin logjikën e shfrytëzimit të krahut të punës”, shtoi Rama.