Të paktën 1081 ankesa janë dorëzuar pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale gjatë vitit 2022.

 

Më shumë se gjysma e institucioneve janë detyruar më pas të bëjnë transparencë gjatë fazës së hetimit administrativ teksa janë mbi 217 ankesa jashtë objektit të zyrës.

 

Të dhënat janë bërë publike në raportin vjetor të Komsionerit i cili sjell në vëmendje edhe çështjet më të “nxehta” për të cilat është kërkuar të bëhet transparencë pas refuzimit të institucioneve.

 

“Nga totali prej 1081 ankesash, për 643 prej tyre informacioni/dokumentacioni i kërkuar u është vënë në dispozicion ankuesve, gjatë zhvillimit të procesit të hetimit administrativ nga ana e Zyrës së Komisionerit. Gjithashtu, Zyra e Komisionerit është shprehur me 51 vendime për 61 ankesa. Nga këto vendime, janë dhënë 35 vendime urdhërimi për dhënie informacioni, 9 vendime rrëzimi, 4 vendime mospranimi dhe 3 vendime me sanksion administrativ.

 

Qytetarët apo grupet e interesit e përqendruan kërkimin e informacionit/dokumentacionit për fondet/procesin e rindërtimit, sistemin shëndetësor/pandeminë, për çështje në arbitrazhin ndërkombëtar, koncesionet, prokurimet, vendime të gjyqësorit, të dhëna statistikore mbi veprimtarinë e autoriteteve publike”, thuhet në raport.

 

Zyra e komsionerit ka nënvizuar se janë konstatuar disa problematika sa i takon mungesës së transparencës apo vonesave ku së pari kjo është lidhur me sulmin kibernetik në faqet e autoriteteve publike(AP).

 

Së dyti sipas raportit vijon paqartësia nga ana e AP-ve, në lidhje me parimin e konfidencialitetit në kontratat publike dhe sekretin tregtar trajtuar jo në përputhje me parashikimet e nenit 17 të ligjit për të drejtën e informimit.

 

“Në kontratat publike shpesh parashikohen dispozita konfidencialiteti për informacionin/dokumentacionin që lidhet me to dhe në rast të mos zbatimit të tyre, parashikohen sanksione ndaj AP-ve. Për të shmangur këtë problematikë, është e nevojshme që në klauzolat e konfidencialitetit të qartësohen se mbi cilën pjesë të informacionit shtrihen ato, duke pasur parasysh që nuk mund të mbizotërojë mbi parashikimet e ligjit për të drejtën për informim, përveçse kur parashikohet në ligjin specifik”, thuhet ne raport.

 

Së treti sipas raportit janë konstatuar raste të delegimit të kërkesës për informacion nga njëri AP tek tjetri, edhe pse disponohet informacioni i kërkuar.

 

Po kështu në disa raste kërkuesit vijojnë të përdorin dispozitat e ligjit për të drejtën e informimit përtej objektit dhe qëllimit të tij për çështje/praktika administrative me karakter individual, si: aksesi në të dhënat personale, dokumentacioni lidhur me lejet e ndërtimit, pasojat e tërmeteve të vitit 2019, pronësia, procedurat e rekrutimit.

 

Një tjetër element sipas raportit është ndryshim i shpeshtë i koordinatorit për informim, caktim i tij apo i saj në nivel ekzekutiv, apo të ulët drejtues, si dhe kufizim aksesi në strukturat e tjera të AP-së.

 

Për shkak të rolit dhe përgjegjësisë që koordinatori ka në trajtimin e kërkesave për informacion, Zyra e Komisionerit në mënyrë të vazhdueshme udhëzon AP-të të marrin masa për forcimin e pozitës së tij./Montior